Qeveria ka nisur hakmarrjen ndaj Lëvizjes Bashkë, e cila protestoi kundër rritjes së pagave. Përfaqësuesit e partisë së drejtohet nga Arlind Qori protestuan sot duke e cilësuar rritjen e pagave për deputetët si skandaloze.
Por nuk vonoi shumë dhe menjëherë policia ka mësyrë në selinë e Lëvizjes Bashkë.
Lajmin e kanë bërë të ditur aktivistët e kësaj partie. “LV” shprehet se kjo është një tentativë e dëshpëruar për t’i kërcënuar dhe për t’u mbyllur gojën ndaj padrejtësive, por se ata nuk do të frikësohen.
“Vetëm pak orë pas aksionit të sotëm kundër rritjes skandaloze të pagave të deputetëve e ministrave, në selinë e Lëvizjes BASHKË kanë mësyrë forca të Policisë së Shtetit. Këta të fundit, pa asnjë lloj të drejtë dhe pa asnjë lloj mandati ligjor, po tentojnë të arrestojnë aktivistët tanë. Kjo është një tentativë e dëshpëruar për t'na kërcënuar të mbyllim gojën ndaj padrejtësive, por ne nuk frikësohemi! E drejta do të triumfojë! Solidarizohuni!”, ka shkruar në Facebook Lëvizja Bashkë.
Gjatë paradites Lëvizja Bashkë protestoi para parlamentit kundër rritjes së pagave për pushtetarët. Protestuesit mbanin në duar një pankartë “Mos u ngopshi”, teksa kanë hedhur dhe para false në tokë.
Kreu i partisë, Arlin Qori tha se paga e deputetit në Shqipëri do të bëhet sa 39-fishi i pensionit minimal dhe 21-fishi i pensionit mesatar në qytet.
“Ata nuk nderojnë as statusin, as zgjedhësit e tyre. Jemi mësuar që në krye të institucioneve të ketë njerëz thellësisht injorant dhe halabakë. Njerëz që në një shoqëri të drejtë nuk e di a do gjenin punë, ose me shumë gjasë do përfundonin në burg për delinkuentë. Në vend që personi në fjalë të përfundonte në burg si hajdut xhepash, e kemi sot deputet, e kemi një nga pronarët më të mëdhenj të marketi. Një njeri që nuk ka frikë as nga ligji dhe as nga reagimi i qytetarëve. Pushtetin nuk e kanë marrë nga populli, por ia kanë marrë popullit. Në vendet demokratike deputetët studiojnë shumë, gjithë kohës janë në Komisione parlamentare, studiojnë përvojën e vendeve të tjera. Lexojnë libra dhe situata të ngjashme”, tha ai.
Por sapo përfundoi seanca, policia ka mësyrë në godinë duke tentuar të ndalojë aktivistët e saj.