
Fillon zyrtarisht protesta e PD para Kryeministrisë, kërkohet largimi i Ramës...
Ka nisur protesta e Partisë Demokratike para Kryeministrisë. Edhe pse orari zyrtar ishte caktuar ora 17.00 tubimi ka nisur me vonesë, kjo edhe për shkak të shiut, pasi Tirana është përfshirë nga rrebeshe të shumta. Pak më parë ka dalë nga selia edhe kreu i PD, Sali Berisha, i cili u është bashkuar protestuesve.
Kjo është protesta e dytë kombëtare për vitin 2026, pas tubimit të 24 janarit. PD kërkon dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëses së tij Belinda Balluku, si dhe krijimi i një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.
Policia ka ngritur tashmë kordonin e parë përpara godinës qeveritare, me efektivë të pozicionuar në një rresht të vetëm. Në total janë mobilizuar mbi 1300 forca policore, përfshirë njësi të FNSH-së, Shqiponjat dhe autobotët me ujë, të pajisur me maska kundragaz.
Protesta e 24 janarit ishte ndryshe nga të tjerat. Persona nga turma hodhën dhjetëra bomba molotov në drejtim të godinës së Kryeministrisë, duke shkaktuar flakë dhe tym përpara hyrjes së saj. Forcat e policisë u tërhoqën për momentin për të shmangur përplasje direkte, ndërsa më pas u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe masa të shtuara sigurie. Zona përpara Kryeministrisë u shpall “zonë krimi”.
Më pas turma u zhvendos drejt godinës së Kuvendit. Edhe atje, situata nuk mbeti e qetë. Turma tentoi të çajë kordonin policor, pati përplasje fizike, dhe ndërhyrje me gaz lotsjellës e autobotë me ujë për të shpërndarë protestuesit.
Sinjalet janë se edhe sot mund të ketë situatë të ngjashme. Policia është vënë në gatishmëri, teksa ka paralajmëruar qytetarët që të mos bien pre e provokimeve për dhunë. Forcat policore janë vënë në disa institucione dhe janë marër masa shtesë nisur nga protestat e kaluar.
Lini një Përgjigje