Ervin Salianji ka lëshuar akuza të forta ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke e akuzuar se po dëmton opozitën dhe se me veprimet e tij po i shërben kryeministrit Edi Rama.
Në një reagim të bërë ndërsa para Kuvendit zhvillohej protesta kundër qeverisë, Salianji u shpreh se Berisha duhej të ishte në krah të protestuesve dhe jo të largohej nga Parlamenti.
“Sali Berisha ka zgjedhur t’i shërbejë deri në fund Edi Ramës. Ditën kur qytetarët protestojnë përballë Parlamentit, në vend që të përballet me Edi Ramën dhe të jetë mburojë politike për protestuesit, ai braktis Parlamentin dhe largohet. Në ditët më të zeza për Edi Ramën, Berisha zgjedh të shkatërrojë Partinë Demokratike!”, tha Salianji.
Ai komentoi edhe mbledhjen e Kryesisë së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, duke pretenduar se në përbërjen e re nuk është respektuar kontributi dhe mbështetja elektorale e shumë demokratëve.
“E njëjta logjikë sundon edhe brenda Partisë Demokratike. Si kryetar uzurpator, përjashton nga Kryesia njerëzit me kontributin më të madh. Më të votuarit nga qytetarët rezultojnë më të pavotuarit në Kryesinë e Sali Berishës. Ata që kanë mbajtur peshën e opozitarizmit për 13 vite ose lihen jashtë, ose renditen në fund. Qarqe si Korça dhe Shkodra mbeten pa asnjë përfaqësues, ndërsa edhe qarqet fituese injorohen dhe nuk përfaqësohen siç duhet. Një opozitë nuk mund të fitojë duke përjashtuar meritën, votën dhe kontributin dhe duke futur anonimë që nuk i njeh askush përveç rrjeteve sociale si fansa të uzurpatorit!”, tha Salianji, duke e cilësuar Berishën “kambalecin politik të Edi Ramës”.
Sipas Salianjit, largimi i Edi Ramës nga pushteti nuk mund të arrihet pa një ndryshim të drejtimit në Partinë Demokratike.
“Nëse duam të largojmë Edi Ramën, duhet të largojmë më parë pengesën më të madhe të opozitës: Sali Berishën, i cili është kthyer në kambalecin politik të Edi Ramës. Ne nuk do i lemë demokratët të vetëm, kontributi i tyre do të vlerësohet!”, tha Salianji.
Lini një Përgjigje