
PS duket se i ka dhënë aq shumë kompetenca vetes sa të interpretojë vendimin e Kushtetueses...
Mazhoranca ka rinisur manovrat për të shpëtuar Olta Xhaçkën nga heqja e mandatit. Ka afro një vit që diskutohet rasti i saj dhe PS po përdor gjithçka që Olta Xhaçka të mbetet deputete, ndonëse burri i saj doli investitor strategjik.
Gjykata Kushtetuese me një vendim të pak ditëve më parë ishte e prerë në qëndrimin e saj. Ajo kërkoi që Kuvendi të votojë pro raportit të opozitës dhe më pas do jetë gjykata që do të shohë nëse mandati i deputetes është apo jo në përputhje me ligjin.
Por PS duket se i ka dhënë aq shumë kompetenca vetes sa të interpretojë vendimin e Kushtetueses. Sot në Këshillin e Legjislacionit, Klotilda Bushak u mundua të tregonte se përse Kuvendi mund të arrijë deri aty sa të mos njoh të tilla vendime. Ajo mori shembuj nga shumë vende dhe duke bërë lojë fjalësh la të nënkuptohet se PS mund të arrijë deri aty sa të refuzojë zbatimin e vendimit që mori gjykata. Në fjalën e saj, Bushaka kërkoi të pajtohen ekspertë që të interpretojnë vendimin në fjalë.
“Ajo që unë propozoj për Këshillin e Legjislacionit sepse mund të ketë ndryshime ligjore dhe Kushtetuese, të kërkojmë ekspertizën nga ekspertë konstitucionalistë dhe tu përgjigjemi pyetjeve para se të marrim vendimmarrje”, tha ajo. Kërkesa e saj u pranua nga kolegët e tjerë të mazhorancës dhe drejtuesja Ermonela Felaj vendosi që të thirren ekspertë.
“Ligjvënësi është Kuvendi, jo Gjykata Kushtetuese apo ndonjë gjykatë tjetër”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, duke arsyetuar se ata kishin detyrimin që vendimet t’i analizonin.
Por kjo u kundërshtua nga opozita. Gazmet Bardhi e cilësoi tipike manovër për të shpëtuar Xhaçkën. Sipas tij, nuk ka më se çfarë diskutohet sepse vendimi i gjykatës është i qartë: Duhet ta bëjë ajo interpretimin nëse ka apo jo konflikt interesi.
“Kuvendi shkeli Kushtetutën. Këtë thotë Gjykata Kushtetuese. Nuk kishte asgjë të re nga ato që tha Bushka, pasi janë ato që mbrojtësit e Olta Xhaçkës i kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese. Nuk jemi për të komentuar vendimet e Kushtetueses, por për t’i zbatuar. Nuk ka asnjë ndryshim të qëndrimit të gjykatës sa i takon këtyre rasteve. Historia ka nisur që në vitin 2016 me rastin e Koço Kokëdhimës”, tha ai.
Burri i Olta Xhaçkës ka dalë investitor strategjik dhe ka përfituar prona në bregdet. Sipas opozitës, është konflikt interesi pasi ai ka përfituar falë bashkëshortes së tij. Vitin që shkoi, PS e shpëtoi deputeten duke refuzuar t’i hiqte mandatin, por PD e ankimoi dhe Kushtetuesja ishte e prerë. Por si duket PS i ka dhënë kompetenca vetes të interpretojë dhe vendimet e Kushtetueses.
Lini një Përgjigje