Politike13 Shkurt 2024, 11:33

PS nis spastrimin, zgjedh drejtuesit e rinj të degëve deri më 15 mars

Shkruar nga Pamfleti
PS nis spastrimin, zgjedh drejtuesit e rinj të degëve deri më 15
Edi Rama

Mësohet se deri më 15 mars do të jenë zgjedhur drejtuesit e degëve

Partia Socialiste është tashmë në një proces riorganizimi. Në Asamble është miratuar plani i veprimit ku në periudhën 15 shkurt-15 mars do të mbahen zgjedhjet e brendshme për drejtuesit e degëve.

Mësohet se deri më 15 mars do të jenë zgjedhur drejtuesit e degëve, ndërsa më 12 qershor, do të mbahet Kongresi i PS që përkon me 33-vjetorin e krijimit të PS-së.

Më 11 shkurt Asambleja e Partisë Socialiste  u zhvillua me dyer të mbyllura. Mbledhja nisi në orën 11:00, ku në fokus ishin jo vetëm zgjedhjet parlamentare 2025, por edhe riorganizimi i strukturave brenda partisë.

Në përfundim të mbledhjes, kryeministri caktoi edhe mbledhjen e radhës së Asamblesë së PS-së, e cila do të mbahet më 16 mars, në qytetin e Durrësit.

Ndërkohë në një prononcim për mediat pas përfundimit të Asamblesë, Rama deklaroi se ishte një mbledhje e gjatë ku ka pasur analiza të thella bazuar në fakte dhe shifra. 

Bëmë një mbledhje të gjatë. Me diskutime të shumta. Ishte një mbledhje punë dhe në një mbledhje pune ka ballafaqime me fakte dhe opinione. Ka shqetësime që vijnë nga organizata të ndryshme të partisë, nga zgjedhës që e kanë votuar ose jo PS.

Ka pasur një qasje vetëkritike nga të gjithë së bashku, duke filluar nga unë. Mos besoni shumë se si rrjedhin gjërat. Jam këtu për të ju informuar se jemi shumë të kënaqur nga kjo mbledhje.

Kemi miratuar dhe planin e veprimet për periudhën 15-shkurt dhe 15 mars, ku fillojnë zgjedhjet në të gjithë organizatën tonë politike. Do të kemi mbledhje më 16 shkurt ku do shohim ecurinë e punës gjatë kësaj kohe”, tha Rama ndër të tjera.

Ndërkohë që sipas informacioneve të dala nga brenda mbledhjes, thuhej që kryeministri Rama ka pasur rezerva për punën e disa strukturave të PS-së, sidomos për qarkun e Tiranës të drejtuar nga Erjon Veliaj. Për këtë të fundit, thuhet se ka pasur një lum me kritika. 

Sikur të mos mjaftonte kjo, Rama i është drejtuar Veliajt me fjalët: “Ç’janë këto mbledhje kot që bën, je bërë si OJF” duke iu referuar organizimit të keq të punës.

Sa i takon këtyre informacioneve se ka pasur kritika të forta brenda mbledhjes, Rama deklaroi për mediat se ka pasur kritika për punën e gjithkujt por nuk dha detaje specifike. 

edi rama ps