
Aksioni politik dhe zgjedhjet në PD kanë qenë tema e diskutimit këtë të martë në studion e “Quo Vadis”.
E pranishme në studio, gazetarja Bruna Çifligu theksoi se është diskutuar shpesh që PD do të ngrejë çadër apo do të futet në grevë, por deri më sot asgjë nga këto nuk është parë.
Lidhur me këtë pyetje, deputeti i PD, Ivi Kaso, deklaroi se armët më të forta të opozitës përdoren në momentet më kritike, duke theksuar se të gjitha këto janë në “lojë”.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: E keni të pamundur të bëni analizë reale?
Kaso: Është një proces drejt konkludimit. Duhej të mbaronte para një muaji, por për shkak të protestave ka zgjatur. Besoj se do të përfundojë brenda muajit prill.
Borakaj: Ju desh një vit?
Kaso: Është një proces që e kemi filluar në muajin shkurt. Nuk ka qenë vullneti i PD të fillonte procesin e analizës në momentin që përgatitej raporti i ODIHR.
Xhafo: Analizën bëjeni për vete, s’ka pse ta dijë publiku.
Kaso: Kryesia e PD ka vizionin e plotë.
Çifligu: Kaso tha që kemi opozitë shumëplanëshe. Mua më duket dyplanëshe: jetë parlamentare dhe protesta. Dëgjojmë që do të intensifikohen, greva është një opsion, çadra një opsion, por as kjo nuk ndodh. Ju jeni në parlament, zoti Kaso, ju shkoni në komisione. Pas dy javësh shkoni në protestë.
Kaso: Janë të gjitha alternativa që janë marrë në konsideratë. Armët më të forta të një opozite përdoren në kohën e duhur.
Çifligu: Është kontradiktore kjo opozitë?
Kaso: Mua nuk më duket kontradiktore, pasi armët ekstreme nuk përdoren në fillim.
Çifligu: Kur është koha?
Kaso: Varet nga reagimi qytetar dhe reagimi ndërkombëtar që përcaktojnë kohën e “vlimit” për të përdorur armët më të forta.
Lini një Përgjigje