TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Janar 2026, 08:53

Rama dhe Berisha, duel milionash në SHBA për makiazh politik; si tallen lobistët

Shkruar nga Pamfleti
Rama dhe Berisha, duel milionash në SHBA për makiazh politik; si
Edi Rama me Ivanka Trump /

Dëgjesat e organizuara në Kongres paraqiten si goditje politike, por në fakt janë produkte lobimi privat, ndërsa të dy kampet kërkojnë kanale ndikimi pranë administratës Trump...

Pas një dëgjese të organizuar nga lobistë në Kongresin Amerikan, kampi i Sali Berishës e paraqiti ngjarjen si sulm institucional ndaj qeverisë Rama. Dokumentet e FARA-s tregojnë se bëhet fjalë për lobim të paguar me miliona dollarë, pa efekt në vendimmarrjen amerikane, përfshirë heqjen e statusit “non grata”. Paralelisht, Edi Rama ka intensifikuar lobimin përmes lidhjeve me Jared Kushner dhe Richard Grenell, duke e shoqëruar këtë përpjekje me pazare investimesh në Sazan dhe Zvërnec. Përplasja në Uashington zhvillohet me fonde private dhe interesa personale, ndërsa për shqiptarët mbetet vetëm kostoja politike dhe ekonomike.

Sali Berisha, njerëzit e tij, si dhe mediat pranë tyre kanë folur për një seancë dëgjimore në Kongresin Amerikan, ku sipas tyre është goditur fort qeveria e Edi Rama dhe korrupsioni qeveritar.

Ajo që ka ndodhur realisht është një dëgjesë e thirrur nga një kongresmen, me pjesëmarrjen e disa profesorëve universitarë që kanë mbajtur ligjërata dhe opinione. Ndër ta ishte edhe Edward Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins, i cili punon në kuadër të kompanive lobuese dhe është i specializuar për Ballkanin.

Këto dëgjesa nuk përfaqësojnë qëndrim politik të politikës amerikane, por janë pjesë e një lobimi të drejtuar nga kompania që Sali Berisha ka paguar miliona dollarë përpara fushatës së 11 majit. Faturat e këtyre pagesave janë bërë publike edhe në regjistrat e FARA-s, duke krijuar shqetësim për vetë Berishën.

Rama dhe Berisha, duel milionash në SHBA për makiazh politik; si
Berisha me lobuesin e tij Chris LaCivita /

Në këtë situatë, lobuesit e Berishës po e përdorin situatën në mënyrë spekulative, duke pretenduar se po rrëzojnë qeverinë Rama nga disa salla komisionesh. Në fakt, këto nuk janë gjë tjetër veçse ambiente të rezervuara për lobistë në Kongres. Lobistët kanë rolin e tyre në nxitjen e debateve, por nuk mund të zëvendësojnë institucionet amerikane dhe as të përmbysin vendimet e administratës amerikane.

Lobimi përdoret zakonisht nga qeveri problematike, të cilat disponojnë shumë para dhe synojnë të përmirësojnë imazhin e tyre. Këtë e bëjnë edhe disa vende arabe, por me strategji të mirëpërcaktuara, për të qenë prezentë në një sistem ku lobimi hebre në politikën amerikane është i konsoliduar.

Ndjekësit e Sali Berishës po mbahen me shpresën se do t’i hiqet statusi “non grata”. Aldo Bumçi deklaroi në media se ky status është hequr dhe se pritet vetëm ftesa e Berishës në Uashington.

Një deklaratë të ngjashme bëri edhe Belind Këlliçi në janar të vitit të kaluar, kur pritej instalimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Që atëherë u tha se do të merrej Edi Rama me helikopter dhe se do të shkrihej SPAK-u. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Edhe pas një viti administratë Trump, Sali Berishës nuk iu hoq statusi “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, edhe pse u paguan mbi 3 milionë dollarë.

Nga ana tjetër, Edi Rama, i cili ka ndjerë peshën e lobimit të Berishës në qarqet republikane, përfshirë Paul Manafort dhe Chris LaCivita, i është kthyer një lobimi agresiv.

Ai po përdor lidhjet e tij direkte në Shtëpinë e Bardhë, Jared Kushner dhe Richard Grenell. Paralelisht, Rama ka rritur pazarin e investimeve në zonën e Vlorës, duke përfshirë jo vetëm Sazanin, por edhe zonën e Zvërnecit, e cila pritet t’i kalojë një konsorciumi ndërkombëtar për ndërtimin e komplekseve turistike.

Sipas informacioneve, prej një viti persona të lidhur me mazhorancën kanë blerë prona në zonën e Zvërnecit, të cilat më pas pritet t’i rishesin për projektin e madh që do të realizohet me fonde nga Katari. Operacioni konsiderohet i përgatitur paraprakisht, pasi blerjet nuk pritet të kenë pengesa ligjore.

Bëhet fjalë për një sipërfaqe të madhe trualli që shtrihet nga Manastiri i Zvërnecit deri në zonën që banorët e Vlorës e quajnë Hudrovori, pranë Novoselës dhe urës së vjetër të Mifolit.

Të gjitha këto operacione kanë një qëllim të vetëm: që Edi Rama dhe Sali Berisha të kenë secili nga një kanal komunikimi në politikën amerikane, konkretisht pranë qeverisë Trump. Edhe nëse kjo realizohet, përfitimi do të ishte vetëm për Ramën dhe Berishën, jo për shqiptarët, të cilët mbeten më të varfër, më të nëpërkëmbur dhe të dëmtuar nga miliona euro dhe pasuri kombëtare që trajtohen si pronë private.

Pyetja mbetet: ku i gjeti Sali Berisha mbi 6 milionë dollarë për lobim në SHBA për të ndaluar ndëshkimin nga SPAK. Po Edi Rama, të kujt janë Zvërneci dhe Sazani që i trajton si pronë private.

Edhe Serbia, e cila ka pasur interes të madh për të lobuar në SHBA për të përmirësuar marrëdhëniet, nuk ka paguar shuma kaq të larta. Flitet për shifra nën 2 milionë dollarë, të cilat kanë sjellë normalizim të raporteve.

Ndërkohë, Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, nuk ka nevojë për lobime të tilla të shtrenjta, pasi ka kanale diplomatike zyrtare. Kanale që, si për Sali Berishën, ashtu edhe për Edi Ramën, rezultojnë të mbyllura./Pamfleti

lobistë makiazh politik rama berisha usa

2 Komente

  1. R
    Realiteti

    Kjo puna e lobieve në SHBA duket si korrupsion me ligj. Pse nuk e di Shba kush është Berisha apo Rama? Nuk e di CIA atje çka bërë Saliu me piramidat financiarw dhe universitare private, Gërdecin, 21janarin? E dinë shumë mirë që Saliu dhe Rama janë autoktatë të korruptuar. Atëherë për çfarë duhet lobimi? Për të marrë para me ligj? Sidoqoftë nuk i hiqet NonGrata Berishës. Por për Saliun tashmë kjo ka pak rëndësi se mbaruan zgjedhjet dhe ai e di që nuk vjen më në pushtet. Plus që është 80 vjeç. Gjithë problemi është mos ta dënojë drejtësia e mos ti marrë pasuritë e fëmijëve, ato 25 apo 50 pronat që kanë nëpër Europë.

    1. l
      lexues

      Mjere populli thuaj qe mori dhene duke u larguar nga Shqiperia

      Lini një Përgjigje