TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Qershor 2026, 11:11

Rama: Europa ka nevojë për lidership, Shqipëria nuk ka frikë nga ëndrrat e mëdha

Shkruar nga Pamfleti

 

Rama: Europa ka nevojë për lidership, Shqipëria nuk ka frikë
Edi Rama

 

Gazeta e njohur gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ka komentuar fjalën e kryeministrit  Edi Rama në takimin vjetor të German Eastern Business Association në Berlin, ku kreu i qeverisë prezantoi vizionin për zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Sipas medias gjermane, Edi Rama synon ta bëjë Shqipërinë të begatë përmes turizmit luksoz, ndërsa protestat vijojnë të zhvillohen sepse në projektet e planifikuara të investimeve është i përfshirë edhe Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump.

Një pjesë të madhe të fjalës së tij, Rama ia kushtoi procesit të integrimit europian të Shqipërisë.

“Zgjerimi i Evropës është një domosdoshmëri gjeopolitike. Shqipëria synon të mbyllë të 33 kapitujt negociues deri në fund të vitit të ardhshëm dhe të arrijë anëtarësimin e plotë në BE përpara fundit të kësaj dekade”.

Kryeministri, sipas gazetës, hodhi poshtë propozimet për forma të pjesshme apo të ndërmjetme anëtarësimi, duke argumentuar se vendet kandidate duhet të integrohen plotësisht në institucionet europiane. Sipas tij, Europa ka nevojë për lidership politik dhe jo për debate burokratike pa fund.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama foli edhe për protestat kundër projekteve të turizmit luksoz të planifikuara në bregdetin jugor të Shqipërisë, përfshirë investimet e lidhura me Kushner.

Kryeministri Rama i hodhi poshtë akuzat se standardet mjedisore apo të drejtat e pronësisë po injorohen. Sipas tij, ishulli i Sazanit, ku Kushner planifikon një resort luksoz, mbetet pronë shtetërore.

Ai theksoi se ende nuk janë dhënë leje përfundimtare dhe se të gjitha autoritetet përkatëse janë ende duke shqyrtuar projektet.

Kryeministri argumentoi se turizmi i nivelit të lartë ofron një model zhvillimi më të qëndrueshëm sesa turizmi masiv.

“Ai sjell të ardhura shumë më të larta me më pak vizitorë”, tha ai, duke përshkruar ambicien e Shqipërisë për t’u bërë “Perla e Turizmit Mesdhetar”.

Sipas gazetarit gjerman, Rama pranoi se turizmi masiv sjell edhe kosto, sidomos për zhvillimin e infrastrukturës. Duke iu përgjigjur kritikave për bashkëpunimin me Kushner, ai deklaroi se qeveria e sheh projektin si një mundësi për tërheqjen e investimeve të mëdha amerikane dhe jo si një lidhje politike me Trumpin.

Në përfundim, Rama deklaroi se Shqipëria nuk duhet të ketë frikë nga objektivat ambicioze.

“Përpjekjet për të penguar zhvillimin e vendit apo të ardhmen europiane të tij do të dështojnë, sepse ‘Shqipëria nuk ka frikë nga ëndrrat e mëdha‘”.

Kryeministri Rama sqaroi se procesi mbetet nën shqyrtim ligjor dhe se institucionet kundër korrupsionit po verifikojnë gjithashtu procedurat përkatëse.

protesta për zvërnecin edi rama

Lini një Përgjigje