Kryeministri Edi Rama vijon të mos mbajë përgjegjësi për skandalet që ndodhin në qeveri. Pak ditë më parë ra në pranga Sekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe sikundër ka ndodhur gjithmonë, për Ramën përgjegjësia është individuale.
Ai ishte në Lushnje në kuadër të turit të falënderimeve, nga ku u shpreh se arrestimi i saj, por edhe i të tjerëve është sukses i reformës në drejtësi. Ndonëse deri dje ishte po i njëjti kryeministër që shprehej se ishte i zhgënjyer nga SPAK, pasi prokurorët rendin pas arkave me peshk.
“Njerëz pa pritur e kuptuar shfaqen me një dritë tjetër. Mbështetjen tuaj dhe tonën të përbashkët e abuzojnë dhe na bëjnë të gjithëve të skuqemi. Por i kemi dhënë këtij vendi të bëjë drejtësi duke u sjellë ashpër me të fuqishmit dhe jo të pafuqishmit. Nuk është folur kurrë që njerëz të lidhur me pushtetin të shkojnë para drejtësisë. Po ndodh sot. E di që ka shumë gjëra që nuk shkojnë me këtë drejtësinë e re, por mos harrojmë këtë që çfarë po ndodh sot nuk ka ndodhur kurrë më parë. Kjo mund të mos jetë mjaft për ne. Ne nuk mund të bëjmë në vite që në dispozicion atë që nuk u bë në 500 vjet, por mund të bëjmë më shumë që fëmijët tanë të mos paguajnë kostot e të keqes në pushtet”, tha Rama.
Ai u drejtua anëtarëve të PS duke u thënë se nuk duhet të demoralizohen dhe se nuk duhet t’u cënohet krenaria nga ndonjë ‘dru i shtrembër’ brenda partisë.
“E pamundur që juve t’ua kthesh atë që ju jepni për PS, në hatër të njërit apo tjetrit që marrin një karrige dhe duken sikur zgjaten, edhe nëse në ndonjë derë ju del dikush që i ka dhënë një karrige dhe ju shikon nga lart poshtë, mos lejoni që këto t’i thyejnë zemrën për atë që keni bërë, se ajo që keni bërë, nëse nuk ka bërë diçka për ju personalisht, ka bërë shumëçka për Shqipërinë, thonë që nuk ka rëndësi, por ka rëndësi se po të mos ishte vota juaj dhe Fieri nuk do ishte sot ky është që sot, po do ishte më keq se ai që ishte dje. E di që është më e lehtë, ta thuash se ta bësh, por mos lejoni që një dru i shtrembër, që ndeshni rrugës dhe që dalin mes nesh t’jua cenojë krenarinë legjitime për Partinë Socialiste”, u shpreh Rama.