
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me qytetarët në Berat, ku ka komentuar zhvillimet politike dhe sondazhet që tregojnë një mbështetje të lartë për Partinë Socialiste. Në fjalën e tij, Rama është shprehur se PS gëzon shumicën e mbështetjes popullore, pavarësisht skepticizmit të komentatorëve dhe kritikëve politikë.
"Kur ju hapni TV në mbrëmje, shikoni sondazhet e pavarura që thonë njëzëri se PS ka shumicën e popullit shqiptar". tha Rama, duke shtuar se disa komentatorë reagojnë me habi ndaj këtij fakti dhe përpiqen ta shpjegojnë me arsye si frika, blerja apo një popull "i sëmurë".
Kryeministri u shpreh se këto justifikime janë të pavlera dhe se e vetmja arsye e kësaj mbështetjeje është fakti që PS është alternativa më e mirë për shqiptarët.
“PS nuk ka rënë nga qielli. Nuk është një parti engjëjsh, por është një parti shqiptarësh që mund të mos jetë e përsosur, por më mirë se PS nuk ka. PS nuk është e keqja më e vogël, është e mira më e madhe që shqiptarët mund të zgjedhin,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se opozita duhet të përgatitet të përjetojë “shijen e hidhur të një humbjeje të merituar”, pasi sipas tij, qytetarët do të mbështesin vetveten duke mbështetur Partinë Socialiste.
Lini një Përgjigje