Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar festën e 35-vjetorit të Partisë Socialiste për t'iu përgjigjur protestave që prej ditësh po zhvillohen në Tiranë kundër projektit turistik në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit.
Në fjalën e tij para socialistëve të mbledhur në Sheshin “Italia”, Rama tha se protesta ka lindur fillimisht nga një zemërim i ligjshëm, por sipas tij më pas është ushqyer nga dezinformimi, gjysmë të vërtetat dhe përmbajtjet e prodhuara në rrjetet sociale.
“Puna e solli që pikërisht në muajin e kremtimit të 35-vjetorit të lindjes së kësaj familjeje për Shqipërinë, një masë e madhe njerëzish të dilte vrullshëm mbi sipërfaqen e kanaleve të internetit dhe një bashkësi përfaqësuese të merrte në zotërim çdo mbrëmje bulevardin e Tiranës. Kërkesa nisi me zemërimin e drejtë të një akti dhune dhe të padrejtë ndaj një investimi madhor që do të ndikojë interesat ekonomike të Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë tha se edhe ai vetë do të ishte indinjuar nëse do të informohej vetëm përmes rrjeteve sociale dhe materialeve që, sipas tij, janë shpërndarë për të nxitur reagime emocionale.
“E vërteta është se edhe unë personalisht, po të isha një qytetar që informohet nga rrjetet sociale, duke dëgjuar dhe parë turlillojet e gjysmë të vërtetave të fryra çdo minutë në vorbullat e kanaleve të dala me tërbim nga shtrati dhe lloj-lloj videosh e fotosh të prodhuara për të ushqyer zemërimin, pelikanë të ngordhur, gradaçela mbi lagunën e Sazanit, do të kisha dalë në bulevard, i llahtarisur. Do të më dukej edhe mua që kjo, e gatuar pas shpinës së popullit, u bashkua kontinent më kontinent për të shpëtuar vendin tim”, u shpreh ai.
Më tej, Rama ironizoi pretendimet që sipas tij janë ngritur kundër projektit, duke thënë se nëse ato do të ishin të vërteta, edhe ai do të kërkonte anulimin e investimit.
“Pa diskutim, anulimi i një projekti kriminal, do të më dukej më e pakta që mund të ndodhte”, tha kryeministri.
Deklaratat e Ramës vijnë në ditën e 13-të të protestave qytetare, ndërsa qindra protestues janë mbledhur çdo mbrëmje përpara Kryeministrisë duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec dhe Sazan. Ndërkohë, vetë kryeministri zgjodhi festën e 35-vjetorit të Partisë Socialiste për të dhënë përgjigjen e tij më të drejtpërdrejtë ndaj revoltës që ka dominuar debatin publik gjatë javëve të fundit.
Lini një Përgjigje