TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Maj 2025, 11:35

Rama për gazetën italiane: Unë fitova sepse shqiptarët duan Evropën!

Shkruar nga Pamfleti
Rama për gazetën italiane: Unë fitova sepse shqiptarët duan
Edi Rama/ Foto nga Reuters

Kryeministri shqiptar për gazetën italiane, ka zbuluar arsyet e fitores së katërt në zgjedhje dhe thotë se tani “është momenti për të trokitur fort në derën e Europës”.

Në një intervistë të gjatë për gazetën italiane La Repubblica, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se fitorja e tij në zgjedhjet e fundit është dëshmi e qartë se qytetarët shqiptarë mbështesin rrugën europiane të vendit dhe projektin e modernizimit që Partia Socialiste përfaqëson.

“Unë fitova sepse shqiptarët duan Europën”, u shpreh Rama, duke nënvizuar se zgjedhjet e fundit kanë qenë një “referendum për Europën”, dhe se fitorja e tij tregon mbështetjen popullore për këtë drejtim.

Sipas tij, procesi i integrimit është më intensiv se kurrë më parë dhe Shqipëria ndodhet në një moment kyç që duhet shfrytëzuar me vendosmëri.

“Bashkimi Europian është një shtëpi e të pasurve që nuk e hap derën lehtë. Sot dera është hapur, por kjo nuk do të thotë se do të mbetet gjithmonë e hapur”, tha Rama.

Kryeministri komentoi edhe akuzat e opozitës për manipulime zgjedhore, duke i konsideruar ato një praktikë të vjetër dhe të përsëritur nga kundërshtarët politikë.

“Në 35 vjet pluralizëm, ata nuk kanë pranuar kurrë një humbje. Këto janë më shumë si biseda kafeneje pas një ndeshjeje të humbur, ku faji u mbetet gjithmonë kundërshtarëve apo arbitrit”, u shpreh ai.

Rama shtoi se çdo akuzë serioze duhet t’i referohet SPAK-ut, organit të posaçëm antikorrupsion që ka mandatin të hetojë.

Sa i përket raportit të OSBE-së mbi zgjedhjet, Rama e cilësoi atë si preliminar dhe të përmirësueshëm. Ai theksoi se disa vërejtje janë të drejta dhe do të adresohen, ndërsa të tjerat do të kundërshtohen me argumente. Sidoqoftë, ai u shpreh i kënaqur që raporti thekson përpjekjet pozitive të autoriteteve shqiptare për të garantuar zgjedhje të ndershme.

Duke folur për lidershipin e tij dhe rolin e Partisë Socialiste, Rama e cilësoi PS-në si një “makinë elektorale të pathyeshme në terren”, me një strukturë të organizuar dhe efikase në të gjithë vendin.

Ai theksoi se përvoja dhe vizioni i qartë për modernizimin e Shqipërisë janë dy shtyllat që e kanë mbajtur në krye të qeverisë për katër mandate radhazi, duke e bërë liderin më jetëgjatë në vend pas Enver Hoxhës.

Në intervistë, Rama foli gjithashtu për zhvillimet rajonale dhe rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe europianizimi në Ballkan. Ai përmendi marrëdhëniet pozitive me shtetet fqinje, përfshirë Serbinë, dhe theksoi rëndësinë e mbajtjes së Ballkanit të bashkuar në rrugën drejt BE-së. “Duhet të mësojmë të shohim të shkuarën me sytë e së ardhmes, për të mos rënë në të njëjtat kurthe historike”, theksoi ai.

Në fund, Rama iu përgjigj kritikave që ka marrë për marrëveshjen me Italinë mbi emigrantët, një projekt i përbashkët me kryeministren italiane Giorgia Meloni. “Ne kemi bërë pjesën tonë, tani u takon autoriteteve italiane të menaxhojnë qendrat. E kam thënë disa herë dhe nuk dua të përsëris veten”, deklaroi ai. Për sa i përket kritikave nga e majta italiane dhe Partia Demokratike, Rama u përgjigj: “Unë kam idenë time për socializmin europian. Nuk besoj në ndarjet ideologjike të tipit karikaturë. Për mua, bashkëpunimi për interesa të përbashkëta nuk duhet të ketë kufij ideologjikë”.

Intervista e Ramës vjen në prag të një samiti të rëndësishëm europian që do të mbahet në Tiranë këtë javë, ku priten liderët kryesorë të Kontinentit të Vjetër. Sipas kryeministrit, ky është një moment vendimtar për të rikonfirmuar rolin e Shqipërisë si një partner i besueshëm në rrugën drejt integrimit të plotë europian./ Përshtati nga 'La Repubblica', Pamfleti

Lini një Përgjigje