Politike30 Mars 2023, 12:02

Revolta e Mirditës, ‘maja e ajsbergut’ të kazanit që po zien në Partinë Socialiste

Shkruar nga Pamfleti
Revolta e Mirditës, ‘maja e ajsbergut’ të kazanit që
Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Ndrecë Deda

 

SPAK, duket se është faktori kryesor që ka sjellë këtë përshtjellim e trazirë në mazhorancën socialiste

Dorëheqja me shumë bujë e kryetarit të PS-së së Rubikut, Pal Tusha, i cili goditi ashpër e publikisht kryetarin e bashkisë së Mirditës, Ndrec Deda, nuk është një episod, por një fenomen që po ndodh prej kohësh në Partinë Socialiste.

E që sipas të gjitha gjasave do të shpërthejë në një kohë oportune hapur, pasi faktikisht gjithçka zien brenda mazhorancës dhe ajo që duket është vetëm ‘maja e një ajzbergu’ i cili ndodhet i gjithi i zhytur nën ujrat e oqeanit.

Kur një forcë politike është në pushtet, mundësitë për një trazirë të përgjithshme rrudhen si pasojë e hapësirave që ka vetë pushteti për të mbyllur vrimat e krijuara. Megjithatë, duhet thënë se në mazhorancë vrimat janë shtuar si shumë, e PS është kthyer si një kullesë e madhe makaronash.

Revolta e Pal Tushës, kundrejt mënyrës sesi PS ka reaguar ndaj një qëndrimi të strukturës socialiste të Rubikut, është një fenomen që po ndodh kudo. Pasi siç dihet, kryebashkiakët janë vendosur nga Edi Rama, pa marrë parasysh fare mendimet dhe qëndrimet e bazës, megjithëse i ka nxitur që t’i shprehin. E në rastin e Rubikut, meqë u bë publike, një pjesë e mirë e PS-së së Mirditës ka qenë mjaft kritike ndaj kryebashkiakut aktual Ndrec Deda, i cili bëri karrierë nga kryetar i Policisë Bashkiake në kohën e Edi Ramës deri në deputet e kryetar bashkie i Mirditës.

Megjithëse të dhënat politike të kryetarit aktual të bashkisë nuk i afrohen mesatares së arsimimit dhe kulturës që mirditorët disponojnë dhe e kanë treguar sot por edhe në vite e vite.

Ka kohë që personi më me influencë në Mirditë është ipeshkvi katolik Gjergj Meta, pasi jo vetëm flet për problemet e komunitetit, por mënyra e tij e trajtimit të çështjeve është intelektuale. E nëse mirditorët i ke sot që kanë mbushur hapësirën publike si gazetarë, analistë, poetë, shkrimtarë, ushtarakë e artistë, kryetari i bashkisë i kësaj zone kaq të rëndësishme stonon ndoshta me modelin e një mirditori të qendisur në publik. Por nuk është thjeshtë problemi i Ndrec Dedës, ndoshta ai e ka mbështetjen e shumicës së strukturave, por mënyra sesi bëhen emërimet, pasi i kërkon bazës që të shprehet e propozojë, kjo ka sjellë përplasje. Njëjtë si në Sarandë për shembull, ku katapultimi prej Blendi Klosit si kandidat për kryetar bashkie, i pronarit të një hoteli në Golem, ka trazuar strukturat lokale të PS-së atje. Të cilët nxorën propozime të ndryshme si ajo e Arben Çipës, apo kryebashkiakut aktual, Adrian Gumës.

Ndryshimi i kandidaturës, ndodhi pasi sondazhet në Sarandë e nxirrnin për ibret Gumën e situata po rrëshqiste për mazhorancën, por mënyra sesi janë qasur kandidaturat në bashki, ku ka rikandidime të bujshme si ai i Maliqit me 7 mandate e janë hequr njerëz me emër në zona, ka krijuar pakënaqësi. Kështu ndodhi edhe në bashkinë e Divjakës, ku u mënjanua Fredi Kokoneshi, kryetari aktual, i cili ka pasur dhe ka mbështetjen e fortë të Erion Braçes, deputetit të rëndësishëm në zonë.

Edi Rama, kandidoi Josif Gorrean, një sipërmarrës në fushën e bujqësisë, duke parë një divulgim të fortë të bazës ndaj Kokoneshit, që kishte instaluar praktika nepotiste dhe klienteliste.

Por gjithsesi ishte mjaft popullor dhe kishte mbështetjen e Erion Braçes. Mënjanimi i tij erdhi pa marrë fare për bazë PS-në e Divjakës, të cilën e kontrollonte Kokoneshi e Braçe. Ndërkaq, duhet të përmendet edhe një faktor shumë suprem në të gjithë këtë tollovi, e që është SPAK, i cili si për Gumën, Kokoneshin etj, mund të nisnin hetimet si pasojë e denoncimeve të depozituara nga qytetarë, subjekte politike e ekonomike, pra kompani që kanë depozituar ankimimet për tenderët ku kanë marrë pjesë.

SPAK, duket se është faktori kryesor në të vërtetë që ka sjellë këtë përshtjellim e trazirë në mazhorancë, që është normale, shumë shpejt mund të ketë një ndarje si me thikë të hajdutëve dhe jo hajdutëve. Të cilëve, pra të dy palëve u ka ardhur në majë të hundës me lojrat e Edi Ramës për ti relativizuar./Pamfleti

ndrecë deda edi rama revolta e mirditës partia socialiste