
Përveçse Bajram Beu e dekretoi menjëherë ligjin, deputetët do përfitojnë rritje page që nga muaji prill. Pra pangopësia nuk ka të ndalur...
Mazhoranca dhe opozita kaluan sot në Kuvend një ligj për xhepat e tyre. Qeveria para zgjedhjeve trumbetoi rritjen e pagave në administratë, por ligji u tjetërsua në mënyrë tinëzare nga deputetët, duke u kapur pas faktit se nuk është respektuar piramida e pagave. Me këtë argument u rritën pagat për deputetët, ministrat, kryeministrin, kryetaren e Kuvendit, inspektorët etj. Dhe çfarë rritje, më shumë se 100 për qind. Një deputet do marrë mbi 3 milionë rrogë në muaj, pa llogaritur dietat, karburantin, rimbursimin e telefonave dhe përfitimin e gjysmës së pagës pasi të mbarojnë mandatin.
Por miratimi sot i ligjit duket se është bërë në konflikt të pastër etik. Mazhoranca para disa kohësh trumbetoi me bujë Kodin Etik, kod i cili do vinte rregull në sallë por dhe do kufizonte votimin e deputetëve në rastet kur ata kanë interes të drejtpërdrejtë.
Në nenin 13 thuhet: “1. Konflikti i interesit është situata kur një deputet është subjekt i një interesi privat, që mund të ndikojë në kryerjen siç duhet të përgjegjësive dhe detyrave publike.
2. Deputeti, kur ndodhet në një situatë konflikti interesi, deklaron gojarisht në fillim të seancës plenare ose të mbledhjes së komisionit apo organeve të tjera parlamentare. Deklarimi regjistrohet në procesverbalin e mbledhjes përkatëse. Kopje e procesverbalit i dorëzohet shërbimit përgjegjës për deputetët.
3. Kur një deputet, gjatë procesit ligjvënës, është subjekt i një interesi privat dhe mund të ndikohet nga çështja në shqyrtim, bën deklaratë me shkrim dhe e dorëzon pranë shërbimit përgjegjës për deputetët. Deklarata me shkrim e deputetit për konfliktin e interesit, rast pas rasti, publikohet në faqen zyrtare të Kuvendit në internet”.
Deri më tani, shumë deputetë nuk kanë marrë pjesë në raste të caktuara votimi, për shkak se ka pasur ligje që ata i preknin. Për shembull, kur ka pasur ndryshime në ligjin për noterinë apo avokatinë, deputetët që kanë pasur familjarë noterë apo avokatë nuk kanë votuar. Pyetja që shtrohet është, a jemi edhe në këtë rast para faktit të tillë? A u përdor ligji për interesat e vetë ligjvënësve?
Por skandali nuk mbyllet me kaq, pasi ka dhe dy zhvillime të tjera të fshehta. E para, ligji për pagat e deputetëve hyri në fuqi të menjëhershme njësoj si për administratën. Ishte Taulant Balla që njoftoi se presidenti e ka dhënë aprovimin dhe kërkoi nga opozita nëse ishin dakord. Askush nuk doli kundër.
Por tjetra është se ashtu si për administratën, edhe për deputetët do të ketë efekt prapaveprues ligji. Pra ata do përfitojnë rritje pagash që në muajin prill, ndonëse nuk ishin fare në Kuvend sepse bënin fushatë. Pra deputetë e shkret kanë qenë aq në hall sa do duhet të marrin pag edhe të muajit prill. Më turp dhe babëzi se kaq vështirë se ka. /Pamfleti