Thelbi është se vallë këta deputetë që dyfishojnë pagat e tyre, a marrin atë që u takon, apo paratë e të tjerëve?
Sot Kuvendi po bëhet gati të mblidhet në seancë plenare në nxitimin për të dyfishuar pagat e deputetëve. Dje, po me kaq entuziazëm, Komisioni i Ekonomisë i Kuvendit, e ka miratuar dyfishimin e pagave.
Historia e dyfishit të pagës për deputetët mbeti si emocion i varur para syve të politikanëve të lartë përgjatë gjithë ditëve të fushatës zgjedhore të 14 majit. Deri në një moment kur kryeministri Rama iu tha ‘mos kërkoni rritje pagash për vete, të paktën derisa të mbarojnë zgjedhjet’.
Politikanët e lartë nuk harruan asnjë sekondë, dhe sapo mbaroi fushata, u avitën në sofrën e parave publike për të dyfishuar pagat.
Dhe tani ja ku jemi, me sa duket sot bëhet fakt. Që sot, çdo deputet do të paguhet me një pagë mujore mbi 3 milionë lekë.
Disa kritikë të aktit të dyfishimit të pagave e lidhin këtë me faktin se ‘populli nuk është aq i pasur sa të ketë deputetë me këto rroga’. Kjo është njëra, por edhe më periferikja e problemit.
Kjo është çështja.
Çfarë do të thotë se këta ‘nuk marrin atë që u takon’? Jo, nuk marrin atë që u takon.
Në radhë të parë, se nuk jemi në një periudhë ‘të temperaturës së lartë’ kombëtare kur situata ka thërritur në skenë deputetët për të zgjidhur punë pa shoqe. Si për shembull, presidenti Zelensy dhe deputetët e tij në Ukrainë, të cilët nuk i rrisin pagat, edhe pse ndodhen në pikën më të lartë të historisë së tyre të re.
Së dyti, vetë deputetët kanë sulmuar njëri tjetrin nga brenda dhe të tjerët nga jashtë, duke i quajtur të paaftë, madje edhe mediokër. Në zgjedhjet e para pluraliste 1991, Kuvendi kishte 42 anëtarë me grada shkencore të larta; por pagat i kishte në një raport më të ulët se pagat ekzistuese.
Më e keqja, dyfishimi i pagave kryhet në një stinë korrupsioni që Shqipërinë e ka vënë para syve të botës. Presidenti, dhe pastaj kryeministër, Sali Berisha, është shpallur i korruptuari i madh. Ai është edhe minues i demokracisë, edhe favorizues i familjes me paratë publike.
A ka një lidhje mes rritjes së pagave sot dhe korrupsionit të Berishës.
Është thuajse e njëjta gjë:
Vetë Sali Berisha përdori pushtetin për të kryer përfitime të mëdha nga pasuria publike. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe këta, përdorin postet dhe besimin publik për t’u pasuruar për vete.
Vetë Sali Berisha, i korruptuari i madh dhe armik i demokracisë, përfitimet personale financiare i bëri bazuar në disa akte nënligjore dhe urdhra. Ai përmbysi qeveri dhe ushtri derisa gjeti njerëz që të firmosnin aktin korruptiv të Gërdecit dhe të kompleksit Partizani. Përfitoi qindra miliona euro për vete, fëmijën, shokët dhe dhëndrin... Po këta çfarë po bëjnë tjetër? Po përdorin autoritetin shtetëror, vulat, firmat, ligjet..., por të gjitha për të arritur në ‘grabitjen’ e lekëve për vete.
Kuvendi sot po vepron në të njëjtën klimë e stinë korrupsioni për të cilën bëjnë sikur luftojnë përditë.
Por vetë prapë Berishë në miniaturë janë deputetët. / Pamfleti
Lini një Përgjigje