TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Qershor 2026, 18:31

Shtohen zërat kritikë, Petro Koçi: Debati për UÇK-në i panevojshëm, qeveria të reflektojë ndaj protestës

Shkruar nga Pamfleti
Shtohen zërat kritikë, Petro Koçi: Debati për
Petro Koçi

Listës së figurave të vjetra të Partisë Socialiste që kanë reaguar gjatë ditëve të fundit për zhvillimet politike në vend i është shtuar edhe ish-deputeti Petro Koçi.

Përmes një reagimi publik, Koçi ka komentuar debatin e krijuar pas publikimit të një liste me pagesa për ish-kontribuues të UÇK-së, duke e cilësuar këtë veprim si një gabim.

"Publikimi i faturës me disa pagesa për ish-kontribues të UÇK-së ishte një gabim i panevojshëm", shprehet ai.

Koçi sqaron se aktivisti Dritan Goxhaj nuk ka qenë komandant në strukturat e UÇK-së, por njëkohësisht mbron figurën e Tahir Sinanit, të cilin e cilëson "nder dhe lavdi jo vetëm të UÇK-së dhe Kosovës, por të gjithë kombit shqiptar".

Ish-deputeti socialist kujton gjithashtu rolin e Partisë Socialiste gjatë luftës në Kosovë, duke deklaruar se PS mbetet forca politike që ka qenë partnerja e vërtetë e UÇK-së në Shqipëri, ndërsa akuzon Partinë Demokratike se gjatë luftës ka mbajtur qëndrim kundër LPK-së dhe UÇK-së.

Në reagimin e tij, Koçi kujton se edhe kryeministri Edi Rama ishte pjesë e Qeverisë së Luftës në atë periudhë.

Por pika më domethënëse e deklaratës së ish-deputetit lidhet me protestën qytetare. Ndryshe nga retorika zyrtare e qeverisë, Petro Koçi kërkon reflektim institucional dhe ndryshime konkrete.

"Qeveria duhet të reflektojë ndaj protestës me reforma kushtetuese për të çliruar Republikën nga disa deformime që dobësuan karakterin parlamentar të saj dhe disbalancuan raportin mes institucioneve të shtetit në favor të dominimit të ekzekutivit", deklaron ai.

Reagimi i Petro Koçit vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë figura të njohura të Partisë Socialiste po mbajnë qëndrime publike për protestën dhe zhvillimet politike. Më herët kanë reaguar Ditmir Bushati, Arta Dade, Ilir Zela, Ermelinda Meksi, Ndre Legisi, Arben Malaj, Piro Lutaj dhe të tjerë, duke shtuar presionin politik mbi qeverinë dhe duke e bërë edhe më të dukshme distancimin e një pjese të gardës së vjetër socialiste nga linja zyrtare e Partisë Socialiste.

petro koci protesta

Lini një Përgjigje