TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Qershor 2026, 16:45

Garda e vjetër e PS vijon t’i kthejë shpinën Ramës, Piro Lutaj kritika të forta për sulmet ndaj UÇK

Shkruar nga Pamfleti
Garda e vjetër e PS vijon t’i kthejë shpinën Ramës,
Piro Lutaj

Teksa protestat qytetare vijojnë dhe zërat kritikë ndaj qeverisë po shtohen, Edi Rama po përballet me një tjetër reagim nga radhët e gardës së vjetër të Partisë Socialiste.

Pas një sërë figurash historike të së majtës që kanë shprehur mbështetje për protestën ose kanë kritikuar qeverinë, sot ka reaguar edhe ish-deputeti socialist Piro Lutaj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lutaj ka dënuar linçimin publik ndaj aktivistit Dritan Goxhaj pas pjesëmarrjes së tij në protestat antiqeveritare, duke e cilësuar të pakuptimtë lidhjen që po bëhet mes së drejtës për të protestuar dhe angazhimit të dikujt në UÇK.

Të dashur miq! Lutem, a mund të më shpjegojë dikush se çfarë lidhjeje mund të kenë situatat apo protestat në Shqipëri sot, pas gati 30 vjetësh, me angazhimin ose jo të dikujt në formacionet aktive të UÇK-së? Po mirë, o të dashur, a ka vërtet ndonjë njeri në Shqipëri që t’i besojë dhe t’i referohet perversitetit të ndonjë “plaku” apo Tahos tonë?

Postimi dhe paragjykimi i një liste me emra luftëtarësh, në krye të së cilës qëndron Tahir Sinani, njëri prej ikonave të UÇK-së, hero i tri luftërave për çlirimin e trojeve shqiptare, shtatoret e të cilit ndriçojnë vendin në mes të Prizrenit dhe në mes të kryeqendrës së Malësisë së Gjakovës, qytetit të Bajram Currit, më kanë lënë pa fjalë! Unë personalisht, për këtë çështje, i bashkohem postimit të bërë dje nga Gjeneral Fatmir Limaj! Liria ka emër”, shkruan ai. 

Reagimi i Piro Lutajt i shtohet listës së figurave të njohura të Partisë Socialiste që ditët e fundit janë distancuar nga linja e ndjekur nga kryeministri Edi Rama. Më herët kanë reaguar ish-ministri Ditmir Bushati, ish-ministrja Arta Dade, themeluesi i FRESSH-it Ilir Zela, ish-ministrja Ermelinda Meksi, Ndre Legisi dhe Arben Malaj, të cilët kanë shprehur kritika ndaj qeverisë dhe mbështetje për protestën qytetare.

 

lutaj ps garda rama

Lini një Përgjigje