Nga Dritan Goxhaj te Ikballe Huduti, qeveria po e zhvendos debatin nga kërkesat e protestës te individët që e mbështesin. Në këtë kontekst, fotoja e re e kryeministrit me një flamingo që pastron pendët ngre pikëpyetje për simbolikën e saj.
Protesta qytetare ka hyrë në ditën e 25-të, por paralelisht me të duket se po zhvillohet edhe një betejë tjetër: ajo për kontrollin e narrativës.
Ditët e fundit, qeveria dhe vetë kryeministri Edi Rama kanë intensifikuar sulmet ndaj figurave publike që kanë mbështetur protestën. Aktivisti Dritan Goxhaj është vendosur në qendër të një fushate akuzash dhe sulmesh publike, ndërsa sot autoritetet njoftuan shpalljen "non grata" të Ikballe Hudutit, e cila është lidhur publikisht me protestat.
Në të njëjtën kohë, vetë kryeministri ka publikuar në rrjetet sociale postime ku sulmon dhe identifikon me emra persona që, sipas tij, po qëndrojnë pas protestës ose po e mbështesin atë.
Në këtë klimë politike, vëmendje ka tërhequr edhe ndryshimi i fotos së profilit të Edi Ramës në Facebook. Kryeministri ka zgjedhur një flamingo, zogun që tashmë është shndërruar në simbol të protestës së nisur për mbrojtjen e Zvernecit. Por flamingoja nuk shfaqet në fluturim apo në habitatin e saj natyror. Ajo paraqitet duke pastruar pendët.

Ky detaj ka nxitur interpretime politike. Nëse flamingoja është simboli i protestës, atëherë një flamingo që pastron pendët mund të lexohet si metaforë e një procesi "pastrimi". Jo domosdoshmërisht të zogut, por të vetë lëvizjes që ai simbolizon.
Kjo lexohet edhe në dritën e zhvillimeve të ditëve të fundit, ku fokusi i komunikimit qeveritar është zhvendosur nga kërkesat e protestuesve te identiteti i atyre që marrin pjesë ose e mbështesin protestën. Sulmet ndaj figurave të caktuara, publikimi i emrave dhe pretendimet për ndikime të huaja krijojnë përshtypjen e një strategjie që synon ta paraqesë protestën si të infiltruar nga individë ose grupe që nuk përfaqësojnë revoltën qytetare.
Në këtë këndvështrim, fotografia mund të interpretohet si një mesazh politik: se pushteti synon të rimarrë kontrollin mbi simbolin e protestës dhe të "pastrojë" atë nga ata që i konsideron elementë të padëshiruar. Dhe me pak fjalë gjetjen e alibisë në fund.
Po ashtu mund të jetë dhe një mesazh për të vetët, se ka ardhur koha për një cikël pastrimi. Historikisht Ram sa herë e ka gjetur veten në vështirësi, ka nisur të bëjë “kurbanë”. Për më tepër që foto kopertine ka vendosur disa flamingo që bëhen gati për fluturim.
Vetë kryeministri shquhet për mesazhet përmes fotove dhe fotoja sot duket që është një mesazh i qartë. Do të presim dhe të shohim. /Pamfleti
Është si puna e maces, që vetë pastrohet, bile vet pastron edhe birën e bythës.