TAGS-AT E JAVËS

Politike11 Shtator 2025, 12:27

Shtypi në agoni, shteti në rolin e varrmihësit

Shkruar nga Pamfleti

 Shtypi në agoni, shteti në rolin e varrmihësit

Në Mal të Zi gazetat kërkojnë fond emergjent për mbijetesë, ndërsa në Shqipëri shteti lë shtypin të shuhet mes propagandës dhe indiferencës...

Ndërsa në Mal të Zi, tre prej gazetave më të vjetra të vendit; Vijesti, Dan, Pobjeda, i kërkojnë shtetit fond emergjent për mbijetesë, në Shqipëri mbijetesa e mediave të shtypura është kthyer në një garë të heshtur për ndihmë, ku fatura nuk ndahet kurrë, por shpesh thuhet “le të mbyllen, kush i lexon më?”.

Shtypi në agoni, shteti në rolin e varrmihësit

Por ky nuk është argument. Është justifikim për indiferencë.

Në të gjithë rajonin, mediat e shtypura po përballen me të njëjtën krizë: rënie tirazhesh, të ardhura të pakta nga reklamat, dhe një shtet që investon më shumë në propagandën e vet sesa në mbrojtjen e zërave të pavarur. Nëse më parë shteti kërcënonte gazetarin me gjyqe e gjoba, sot thjesht e lë të falimentojë.

Në Shqipëri, me përjashtim të disa pak titujve të mbijetuar, shtypi i përditshëm është bërë luks. Distribucioni është në agoni, pikat e shitjes po zhduken, ndërkohë që qeveria nuk ka asnjë mekanizëm mbështetës për gazetat; as lehtësira fiskale, as politika subvencionuese, as fond për shtypin lokal.

Këto nuk janë lëmosha. Janë investime në pluralizëm. Sepse kur një gazetë mbyllet, nuk mbyllet vetëm një biznes. Mbyllet një dritare kritike për shoqërinë.  

Kërkesat që po ngrihen në Mal të Zi nuk janë përjashtim ballkanik, janë alarm i përbashkët për të gjitha demokracitë e brishta të rajonit. Nëse nuk ndërhyhet me masa të qarta politike dhe fiskale për të ruajtur shtypin e lirë, atëherë nesër nuk do kemi nevojë për cenzurë. Do jetë mjaftuar mungesa e mbështetjes që zëri të shuhet vetë.

Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër bord propagande. Ka nevojë për një fond të mbrojtjes së pluralizmit mediatik. Për një politikë që nuk shpërndan reklamat shtetërore si shpërblim për servilizmin, por si mbështetje për profesionalizmin. Ka nevojë për një qasje që i shërben qytetarit, jo pushtetit.

Gazetat nuk janë letra. Janë memorie. Janë pasqyrë. Janë arkiv i gjallë i një shoqërie që ka të drejtë të flasë, të kritikojë, të kujtojë. Nëse i lëmë të mbyllen, nuk jemi më qytetarë të një demokracie, jemi spektatorë të rënies së saj./Pamfleti

shtypi media e shkruar shteti në rrolin e varrmihësit

Lini një Përgjigje