Politike24 Mars 2023, 16:03

Si do të hyjë Alibeaj në zgjedhje? Deputetët të ndarë për skemën, Bejko dhe Godole propozohen për Tiranën

Shkruar nga Pamfleti

Si do të hyjë Alibeaj në zgjedhje? Deputetët të

Disa prej anëtarëve të Kryesisë së PD kanë propozuar që në zgjedhje të shkohet vetëm për këshillat bashkiakë dhe tu lihet terren i lirë kandidatëve të “Foltores”.

Grupi i Enkelejd Alibeajt nuk e ka ende të qartë skemën se si do të përfaqësohet në zgjedhjet e 14 majit. Sot Alibeaj mblodhi Kryesinë, për të diskutuar mbi këtë çështje dhe mësohet se ka pasur disa mendime. Vetë Alibeaj dhe disa deputetë pranë tij kanë propozuar që në zgjedhje të shkohet me arsenal të plotë. Pra të ketë kandidatë për kryetarë bashkie në të 61 qytetet e vendit si dhe po ashtu të garohet në këshillat bashkiakë.

Ndërkohë ka pasur dhe nga ata që kanë kërkuar që të mos dublohen kandidatët e “Primareve”.  Tabaku ka kërkuar që të garohet vetëm në këshillat bashkiakë. “Kam ndarë të njëjtin qëndrim që kisha në shtator, opozita duhet të dalë me kandidatë unikë! Nuk duhet në asnjë mënyrë qe ne të bëjmë betejë kundër nesh, ne kemi një kundërshtar kemi qeverinë dhe asnjë arsye dhe asnjë justifikim të jemi ne ata që përçajnë votën e opozitës! Ne duhet të mbrojmë logon e PD, duhet të nxjerrim Partinë Demokratike si alternativë në këto zgjedhje! Unë nuk e bëj dot që të kërkoj votën kundër komenteve të mia! Unë nuk kam asnjë dyshim që ne për të fituar duhet të jemi bashkë, duhet të jemi dhe më shumë se kaq”, tha ajo.

Të njëjtën skemë ka propozuar edhe Dhurata Çupi. “Kam refuzuar sulmet e Foltores si të shitur e të blerë dhe sot refuzoj akuzat këtu që ne qe kemi mendim ndryshe të konsiderohemi që shohim interesat tona. Këtë e refuzoj edhe këtu. Më dhemb PD dhe do bëj çmos të rritet PD dhe të bashkohet sa të mundet. Ne kemi optimizmin të dalim me listën e këshillave bashkiak dinjitozë dhe figura dinjitoze dhe të votohemi shumë më shumë se partitë e tjera. Ndërkohë, nuk duhet të dalim me kandidatura për kryetar bashkie. Dhe këtë e kam për të mirën e PD dhe të bashkimit”, tha ajo.

Por përkundër të tilla propozimeve, sot është folur dhe për emra konkreteë.  Kryesia e Partisë Demokratike ka dalë me dy emra për të rivalizuar Belind Këlliçin dhe Erion Veliajn në zgjedhjet e 14 maji. Mësohet se grupi i Alibeajt ka propozuar si kandidatë të mundshëm Roland Bejkon dhe pedagogen e Gazetarisë, Jonila Godole.

Përtej emrave që kanë dalë, mësohet se Kryesia nuk ka marrë ende një  vendim final ku do të përcaktohet nëse grupi i Alibeajt do të synojë krerët e bashkive apo vetëm këshillat bashkiakë.

alibeaj godol bejko