Lefter Alla, është shkarkuar nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Bulqizës me vendim të Këshillit të Ministrave për shkelje të rënda. Vendimi është marrë sot, ndërsa ish-kryebashkiaku socialist ka të drejtë që ta ankimojë shkarkimin e tij brenda 15 ditëve në Gjykatën Kushtetuese. Alla, i cili u arrestua dy javë më parë akuzohet për korrupsion si dhe për abuzim me tenderët publikë. Ai është vënë në pranga me urdhër të SPAK pasi abuzoi me tenderin e Ujësjellësit, për të cilin janë akorduar 3 milionë euro.
“Në mbështetje të neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave,
Vendosi: Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z. Lefter Alla. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren zyrtare”.-njofton qeveria.
Bashkë me Allën është arrestuar edhe nënkryetarja Enkelejda Lleshi dhe 11 të tjerë që janë identifikuar si: Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo Gazidedja Aqif Konesha, Kastriot Ibrahimaj, Ana Nishku.
Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer veprime të paligjshme në dhënien e një tenderi me vlerë 3 milionë euro për ndërtimin e një Ujësjellësi në qytetin e Bulqizës. Tenderi i bashkisë drejtuar nga Alla, u fitua nga një kompani BOE England e cila mendohet se u favorizua gjatë procedurës. Por punimet, u kryen nga një tjetër kompani, OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.
Lini një Përgjigje