Ajo ishte e renditur e para në listën e mbyllur të koalicionit në Tiranë.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar ankimimin e Adriatik Lapajt për të fituar mandatin.
Tashmë me këtë vendim "lufta" mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit për mandatin e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet merr një tjetër kthesë.
Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve veç kërkesës së Lapajt, rrëzoi edhe kryekomisionerin Ilirjan Celibashi duke ia hequr mandatin kushërirës së Lapajt, Kleana Xhuvelit (e katërta në listën e mbyllur) dhe duke ia kaluar atë Ana Dajkos, të parën në listën e mbyllur.
60-vjeçarja Ana Dajko është nëna e anëtarit të kryesisë së “Lëvizjes Shqipëria Bëhet”, Vasil Dajko si dhe rezulton të jetë edhe kushërira e Lapajt. Ajo ka kryer arsimin e mesëm, ndërkohë që është e vetëpunësuar.
Relator i çështjes ishte Elvis Çefa.
Përfaqësuesit e “Shqipëria Bëhet” kërkuan njohjen e dorëheqjeve në 11 maj, ndërsa anëtari i KAS, Ilir Rusmaili, i pyeti nëse e quajnë këtë gjë pabesi, pasi dorëheqjet u bënë pas procesit të votimit.
Debati në mbledhje:
Rusmajli: Fakti që ata kanë zgjedhur të gjithë në një mendje të japin dorëheqjen në 11 maj, nuk është një lloj pabesie nga elektoratit në vlerësimin tuaj? Njerëzit e kanë votuar këtë listë kandidatësh. Dhe dorëheqja në 11 maj nuk ka ndodhur para se të fillonte votimi, nuk ka ndodhur me një deklaratë publike të subjektit, ‘mos na votoni se ne nuk duam të na votoni’. Ka ndodhur pasi procesi kishte nisur dhe zgjedhësit nuk e kishin mundësinë ta bënin këtë dallim.
Përfaqësuesi i “Shqipëria Bëhet”: Kjo është përgjegjësia e subjektit, nuk është pyetje ligjore
Rusmajli: Avokati i kujt jeni
Përfaqësuesi i “Shqipëria Bëhet”: Jam përfaqësues i “Shqipëria Bëhet”. Nuk është pabesi dhe nuk ka pse të jetë. Gjithsecili nga ata kandidatë që ka vendosur të tërhiqet nga gara, është vullneti i tij personal dhe nuk ka asnjë lidhje me pabesinë tonë.
KQZ vendosi që mandatin në koalicionin e Nismës Shqipëria Bëhet ta marrë Kleana Xhuveli. Kandidatja e listës së mbyllur Kleana Xhuveli, e renditur e katërta, revokoi dorëheqjen dhe kërkoi të merrte mandatin.
Në kërkesën e tij, Lapaj pretendon se mandati i takon listës së hapur, duke kujtuar se kandidatët e listës së mbyllur kanë dhënë dorëheqjen nga kandidimi më datë 11 maj. Ai kërkon të mos pranohen revokimet nga dorëheqja të kandidatëve nga lista e mbyllur, përfshirë Kleana Xhuvelin.
Lini një Përgjigje