
Material me fuqi të jashtëzakonshme shkatërruese kalon kufirin, ndërsa autoritetet shqiptare shmangin transparencën...
Një sasi prej 300 kilogramësh eksploziv industrial dhe detonatorësh të prodhimit polak e amerikan u kap në kufirin me Kosovën, por policia shqiptare nuk ka dhënë asnjë sqarim publik. Materiali ka fuqi të lartë shkatërruese dhe transportimi i tij tregon kontrabandë të organizuar. Dyshimet për lidhje me elementë radikalë dhe përpjekjet e qeverisë për ta mbajtur të ulët zhurmën shtrojnë pyetjet për rrezikun real dhe qëllimin e kësaj sasie.
Ka prej dy ditësh që nga Shqipëria kanë hyrë në Kosovë një sasi e frikshme eksplozivi vdekjeprurës, por ngjarja po mbahet në heshtje si nga policia, ashtu edhe nga mediat tek ne. Bëhet fjalë për 300 kilogramë eksploziv poladyn dhe amonit, si dhe një sasi të madhe detonatorësh të cilësisë së lartë Emulex 1.
Sasia u kap ndërsa po kalonte kufirin drejt Kosovës me dy persona që udhëtonin në një furgon. Lajmi u bë i ditur fillimisht nga mediat e Kosovës dhe më pas u rimor nga disa media shqiptare. Por deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Policia e Shtetit për hetimet, për origjinën e eksplozivëve dhe për qëllimin final të kësaj sasie.
Eksplozivët e kapur janë prodhuar në Poloni, ku ndodhet një nga fabrikat më të mëdha të prodhimit të eksplozivëve me bazë nitrati që përdoren kryesisht për qëllime industriale, për gërmime minerale dhe kantieristike, jo për përdorim ushtarak.
Ndërkohë detonatorët Emulex 1 janë prodhim amerikan nga uzina kryesore në Austin të Teksasit.
Eksplozivët industrialë tregtohen me leje të posaçme dhe çdo blerje duhet të shoqërohet me plan përdorimi, afate dhe territor të përcaktuar. Të gjitha subjektet që kanë licencë për përdorimin e mjeteve plasëse mbajnë detyrim të raportimit të vazhdueshëm te autoritetet shtetërore dhe policia.
Kontrabandimi i kësaj sasie tregon se nuk kemi të bëjmë me një aktivitet industrial, sepse guroret dhe minierat nuk mund të përdorin eksplozivë të paregjistruar pa rrezikuar mbylljen e aktivitetit dhe ndjekjen penale.
Sasia prej 300 kilogramësh poladyn dhe amonit është jashtëzakonisht e madhe dhe përfaqëson potencial shpërthyes me pasoja të rënda.
Për ta ilustruar, atentati ndaj Giovanni Falcone-s në Capaci në vitin 1992 përdori 500 kilogramë tritol, ndërkohë që poladyni dhe amoniti kanë fuqi shpërthyese rreth dy herë më të madhe se tritoli.
Kjo tregon se kemi të bëjmë me material të nivelit ekstremisht të rrezikshëm. Pyetjet janë të shumta: për çfarë ishte planifikuar kjo sasi, kush i ka porositur, kush e ka shitur, sa ka kushtuar dhe nga kanë ardhur paratë.
Policia shqiptare është gjetur e papërgatitur, sidomos pas interesimit të partnerëve ndërkombëtarë. Për të ulur zhurmën e ngjarjes, u amplifikua aksioni i RENEA-s në Orosh të Fushë-Arrëzit, i cili ishte i rëndësishëm, sepse kishte të bënte me dy persona të armatosur e të rrezikshëm që konsiderohen radikalë dhe që kanë luftuar në Siri.
Nuk përjashtohet që ngjarjet mund të kenë lidhje mes tyre. Duket se Edi Rama nuk ka dashur që kjo situatë të marrë vëmendje, veçanërisht në prag të vizitës së tij në Katar, për të shmangur çdo lidhje mes eksplozivëve dhe elementëve radikalë islamikë./Pamfleti
Lini një Përgjigje