Pse fitoi Olta Xhaçka dhe kush janë të tjerët që Rama po mbron nga SPAK përmes Kuvendit të ri...
Në një intervistë të tij para zgjedhjeve të 11 majit, Edi Rama, i pyetur, se pse kishte thënë se telefonin e tij nuk e marrin dot ata të SPAK, ju përgjigj i qetë.
Nuk është kështu, tha kryeministri, duke shpjeguar me detaje se nuk është e thjeshtë kjo punë. Sepse, tha ai, nëse do të ketë një kërkesë për të hetuar telefonin, prokurori do të duhet të vijë të kërkojë leje në Parlament.
Ishte e çuditshme të shikosh një Kryeministër, duke bërë Karamuçon, apo ndonjë ekspert juridik që shfaqet në emisionet politike televizive, dhe tregon hapat që duhet të marrë SPAK për të hetuar thellë një qytetar- deputet, ministër apo kryeministër.
Ajo intervistë e Edi Ramës, ishte në të vërtetë thelbi i hapit të parë të asaj që konsiderohet si rezistenca e mazhorancës ndaj SPAK, e cila u pa që në rastin e arrestimit të Erion Veliajt.
Të cilin, babloku, dukej hapur që e kishte shitur, por i bëri të ditur Altin Dumanit dhe prokurorit të SPAK-ut, që rri larg nga telefoni im. E gjitha kjo ishte një mesazh i koduar që u pa shumë shpejt edhe në zgjedhjet e 11 majit, si dhe në levizje të tjera.
Në ditën e dytë të numërimit të votave, kur u vërejt që fitorja e PS-së ishte aq e thellë sa kishte arritur kufirin e mazhorancës së cilësuar për të ndryshuar ligjet kushtetuese, shpërthyen ethet e emrave të deputetëve më të votuar.
I pari, më i votuari ishte Blendi Gonxhe, i cili kishte marrë vota jo vetëm në zonën e Kombinatit, por në të gjitha njësitë e qarkut të Tiranës, ku kishte shpërndarë të gjithë stafin e tij të vjetër të ndërmarrjes së patentave dhe kolaudimit të makinave, e aradhën e kontrollorëve.
Më pas, Sara Mile në Elbasan, për të cilën vetë Sali Berisha e akuzoi se është ndihmuar nga grupi i Suel Çelës. Nuk do të mungonte tashmë “i përhershmi” Orlando, djali i Qifes, dhe më pas Erion Braçe e Fatmir Xhafaj.
Lufta deri në finish e bashkëfshatarit Xhemal nga Surreli, me të cilin Babloku bëri selfie nga “katuni jonë” si një sinjal mbështetjeje, por që “profesionistët-patronazhistë” e panë më shumë si ‘merre me long se mishi u maru’, e papritur, ditën e dytë doli një emër tjetër.
Që nuk ja kishte marrë mendja shumë vetëve, jo thjeshtë në media, pasi tashmë nuk se e vret mendjen kush, por as në celulat e PS-së.
Olta Xhaçka, e cila u duk se ishte vënë për t’u djegur në listat për deputete, arriti të marrë votat për të dalë mbi ujë. Dhe sipas llogaritjeve të fundit ja doli.
Po si arriti t’ia dalë, personazhi më i akuzuar, ndaj të cilës, ka edhe një çështje në hetim nga SPAK? E që muaj më parë, pa ju dridhur qerpiku tha se te resorti kemi vendosur mure që të mos na vinë ata nga mali.
Ja doli si pasojë e fuqisë së saj empatike në PS?
Në njësinë 2, ku ajo kandidoi për deputete kishte të paktën 2 kandidatë me më përvojë në atë territor dhe me lidhje më të fortë. Ishte familjari i saj, Arben Pëllumbi, përkatësisht kushëri, si dhe Florian Pullazi, që i përket një familje të njohur të zonës, i cili ka siguruar vota edhe kur ka qenë me PDS-në e Milos para 20 vitesh, ndërkohë që ka qenë një fuqi e konsiderueshme për PS-në në çdo zgjedhje.
Apo e ndihmoi Artan Gaçi, i shoqi, i cili në zgjedhjet e 2021 e ‘bëri çorap’ Astirin e Kasharin, duke marrë rezultatin më të keq në histori?
Faktet flasin ndryshe: Për Xhaçkën kanë lobuar të gjitha strukturat e PS-së që vareshin nga kreu politik i Tiranës, Ogerta Manastirliu.
E cila është edhe ministre e Arsimit, që automatikisht ka vënë në funksion të gjitha strukturat gjigande të saj, nëpërmjet mësuesve, menaxherëve, edukatorëve apo edhe personelit ndihmës.
Ogerta vetë, kurrë nuk ka pasur as shoqëri e as ndonjë marrëdhënie me Oltën, kështu që vjen natyrshëm hipoteza e urdhërit nga lart. E gjithë kjo mbështetje e fortë, është urdhëruar nga Edi Rama.
Ka qenë pikërisht orientimi i tij që ka sjellë në shumicën e rasteve fitoren e deputetëve në listën e hapur.
Orientimi për Xhaçkën, duket ka pikërisht logjikën e asaj që ka thënë në sulmin ndaj SPAK: Mjaft më tek nahija ime!
Lali Erin, ua dha me dëshirë, madje duke i lënë të bëjnë çfarë të duan me të, edhe duke e linçuar, ndihmuar nga Babloku që e ka çmontuar tërë klanin e Veliajt në Bashki e partinë e Tiranës, duke vënë tarafin e tij personal.
Synimi është i qartë; për të mos e lënë SPAK-un që të përgjojë, kontrollojë banesat apo mjediset e deputetes Xhaçka, vetëm nëse këtë leje e jep Kuvendi.
Sipas Kushtetutës, deputeti është i tillë deri në verifikimin e mandateve të Parlamentit të ri, që nis në shtator. Me një fjalë, SPAK nuk do të mundet të kryejë ndonjë veprim paraprak, pa leje, siç bëri me Ilir Metën dhe Erion Veliajn, të cilët, duke mos qenë as deputetë e as ministra, nuk kërkohej leje për arrest.
Dhe Xhaçka, nuk është e vetmja nga deputetët e PS-së që kanë denoncime në SPAK apo dyshime për abuzime./Pamfleti
Lini një Përgjigje