TAGS-AT E JAVËS

Politike25 Shkurt 2026, 16:02

Skenar i ri për protestën e 28 shkurtit? Berisha tregon opsionet që po diskutohen

Shkruar nga Pamfleti
Skenar i ri për protestën e 28 shkurtit? Berisha tregon opsionet
Sali Berisha

Opozita po shqyrton skenarët për protestën e paralajmëruar më 28 shkurt. Sali Berisha deklaroi se organizatorët do të përdorin forma të reja veprimi dhe se nuk përjashtojnë asnjë mundësi.

Gjatë një komunikimi me gazetarët në selinë e Partisë Demokratike, Berisha tha se drejtuesit e protestës po analizojnë mënyra të ndryshme për zhvillimin e saj. Ai sqaroi se mes opsioneve që po diskutohen përfshihet edhe bllokimi i rrugëve.

Partia Demokratike pritet të detajojë organizimin në ditët në vijim, ndërsa protesta është njoftuar për datën 28 shkurt, ora 18:00. 

Pyetje: U dakordësua për llojin e protestës, me datën 28 shkurt?

Sali Berisha: Po dakordësohemi. Ndryshe do jetë. Ne tani kalojmë në forma të ndryshme protestash, i diversifikojmë, kemi kreativitet. Do eksplorohen forma të reja.

Pyetje: Një nga format? Bllokimi i rrugëve?

Sali Berisha: Të gjitha format janë në konsideratë dhe kjo është vetëm protestë. Ne kemi vetëm protestë. Asgjë nuk përjashtohet. Të jemi realistë. Opsionet janë të gjitha.

28 Shkurti do të jetë protesta e tretë radhazi e opozitës, për vitin 2026, e cila kërkon largimin nga pushteti të socialistëve të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, për shkak të akuzave penale për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndaj disa prej zyrtarëve më të lartë të shtetit.

Mbetet për t'u parë se cilat do të jenë "format e reja" që do të eksplorojë Partia Demokratike, pasi në tubimet e kaluara ka pasur përleshje të protestuesve me punonjësit e Policisë së Shtetit dhe sulme ndaj institucioneve me molotovë.

sali berisha protesta pd

Lini një Përgjigje