
Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp që po mban me homologun malazez, Dritan Abazoviç në Podgoricë, është pyetur për zhvillimet më të fundit sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ku Albin Kurti dhe Vuçiç pritet të takohen pasdite e sotme në Bruksel për të diskutuar planin evropian.
Rama tha se plani franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi plani më i mirë, ndërsa shtoi se marrëveshja mes dy vendeve është rruga e vetme për të ecur përpara.
Ai theksoi se janë vetë palët ato që do të mbajnë përgjegjësi për kushtet që vendosin në dialog, por Shqipëria është krah Kosovës.
“Nuk ka asnjë rrugë tjetër, çdo rrugë tjetër është iluzion që i krijohet popullit për politikë, për vota, për luftëra të brendshme por që nuk ka lidhje me të ardhmen dhe unë dua shumë që të shpresoj dhe jam me gjithë zemër dhe mendje i angazhuar që lutem që çështja mes Serbisë dhe Kosovës të hyjë në rrugën e një dialogu pa kthim dhe më shpejt sesa vonë të jetë një çështje e të dyja vendeve dhe të mos jetë nevoja që superfuqitë t’i marrin përveshi sa herë që grinden në oborrin pas shkollës.
Mendoj që marrëveshja e bazuar në planin franko-gjerman është më e mira gjë që ka qenë ndonjëherë në tavolinë por ky është thjesht një opinion.
Respektoj sovranitetin e të dy palëve për të vendosur. Është e pashmangshme që Shqipëria të jemi në krah të qeverisë së Kosovës, që iu uroj me gjithë zemër kthjellësi dhe vendosshmëri dhe sukses.”, tha Rama.