
Deputetja demokrate, Jorida Tabaku ka denoncuar sjelljen e Tatimeve ndaj bizneseve, duke thënë se ato sillen si bandë dhe po terrorizojnë sipërmarrësit.
Tabaku thekson se opozita duhet të veprojë në mënyrë të koordinuar, duke kombinuar aksionin në terren, protestat dhe propozimet konkrete në Kuvend për të mbrojtur ekonominë dhe sipërmarrësit nga praktikat e padrejta.
“E ndoqa dje zotin Braçe për gjobën ndaj një biznesi që ishte vënë 10 herë më të lartë se sa produkti që ishte shitur. Një fermer i vogël se kishim të bënim me gjizë. Është rasti i gjobave jo proporcionale dhe sjelljes së Tatimeve si bandë që shkon të pushtojë bizneset e vogla. Paqja fiskale është shembulli më i mirë i mosfunksionimit të Tatimeve, me borxhe të akumuluara, me sistem taksash të ngarkuar me 6 nivele, me taksa të larta dhe tatimet janë kthyer në zyrtarë shteti që shkojnë për t’i terrorizuar. Kjo nuk ndodh ndaj bizneseve të mëdha.
Që të them 1 inspektor është i mirë dhe 5 të këqij nuk funksion. Këta që fikin GPS, që çojnë SMS për tunelin e Llogarasë, me sistemin e ngritur që sot fatkeqësisht nuk po i jep frymë ekonomisë, është trend, është një shtet i kapur, që reflektohet te tatimori me GPS, por reflektohet edhe tek niveli më i lartë me ligjet që çohen në Parlament për biznese të caktuara.
Protesta është një nga mjetet opozitare, një nga elementet e opozitës, dje kishim një protestë, do të protestojë në vijim. Por nuk më duket që tani duhet vendosur opozita në presion se çfarë të bëjë. Duhet t’i bëjë paralelisht, përdorimin e Parlamentit, propozimet, njerëzit kanë nevojë të na dëgjojnë me alternativë, që përveç kundërshtisë kemi edhe alternativën. Dhe për mua, e besoj fort, nuk ka asgjë më të fortë se sa forca e argumentit. Duke filluar nga protesta, duke vazhduar me propozimet ligjore, të buxhetit, besoj bëjnë një front opozitar ku secili mund ta gjejë veten e tij.”-tha Tabaku në News 24.
Lini një Përgjigje