
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se kreu i PL-së, Ilir Meta nuk është lejuar që të flasë pasi votoi ditën e sotme në ambientet e IEVP “Jordan Misja”.
Blushi u shpreh se ishte dakordësuar që Meta të fliste, por kur ka dalë i veshur kuq e zi nga qelia, nuk janë lejuar gazetarët të hyjnë brenda ambienteve të votimit.
Ai shton se administrata e burgjeve ka penguar qëllimisht Ilir Metën që të filmonin gjatë kohës kur ai ka votuar në burgun 313. Blushi tha gjithashtu se ky është një rast flagrant i dhunimit të lirisë dhe të drejtave të njeriut.
"Në emër të Partisë së Lirisë dënoj me forcën më të madhe cënimin flagrant të lirive dhe të drejtave të njeriut, të Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut ndaj Presidentit të Partisë së Lirisë, z.Ilir Meta, i cili nuk është lejuar të flasë dhe as të filmohet si gjithë të tjerët, në momentin e votimit. Në respekt të interesimit të mediave, që kishin kërkuar të ishin të pranishme, në procesin e votimit të Presidentit të Partisë së Lirisë, z.Metaj ishte dakordësuar prej dy ditësh me administratën e IEPV “Jordan Misja”, pas kërkesës së tyre, që të votonte sot pikërisht në orën 10:00, siç ishin njoftuar edhe mediat nga administrata e burgjeve dhe vet Partia e Lirisë.
Edhe sot në kontaktet që kemi pasur me administratën e burgjeve jemi njoftuar se në ora 10:00, mediat do të lejoheshin të merrnin pjesë në procesin e votimit. Por sapo patronazhistët njoftuan se Presidenti i Partisë parlamentare të Lirisë, Z.Ilir Meta doli i veshur Kuq e Zi nga qelia e narkoregjimit, gazetarët nuk u lejuan të hynin në qendrën e votimit.
Ky është një rast flagrant i dhunimit të lirisë dhe të drejtave të njeriut, sa kohë personave të dënuar me vendim gjykate u lejohet të flasin dhe të filmohen gjatë procesit të votimit, ndërsa Presidentit të Partisë së Lirisë, e cila nga nesër do të jetë një parti parlamentare me 12 deputetë, i mohohet e drejta të flasë para mediave dhe t’u përgjigjet interesimit të gazetarëve, i cili mbahet ne izolim ekstrem pa fakte dhe pa prova penale dhe është i padenuar.
Kreu i Organizatës tmerrohet nga ngjyrat Kuq e Zi në përgjithësi por në veçanti nga ngjyrat Kuq e Zi të Ilir Metës sepse ato i kujtojnë atij, por mbi të gjitha të gjithë shqiptarëve patriotë, mbrojtjen e Kushtetutës. Se ato u kujtojnë të gjithë shqiptarëve patriotë në Shqipëri dhe anembanë botës mbrojtjen e kufijve të Kosovës nga Presidenti Ilir Metaj.
Edi Rama ka tmerr edhe nga pamjet live të Ilir Metaj sepse ka tmerr nga vota e lirë dhe liria e shqiptarëve. Në emër të Partisë së Lirisë i ftoj të gjithë shqiptarët patriotë dhe kuqezinj, të votojnë, të votojnë dhe vetëm të votojnë. Ndryshon vetëm ai popull që lufton dhe voton! Ne jemi popull shqiponjash dhe sot është koha për ta dëshmuar si kurrë më parë", tha Blushi.
Lini një Përgjigje