Kurt Bassuener, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, thotë se diferenca aktuale midis kandidatëve të Evropës Lindore dhe Ballkanit Perëndimor është vullneti politik për të zbatuar reformat e nevojshme.
Që kur Ukraina dhe Moldavia nisën procesin e tyre zyrtar të integrimit në Bashkimi Evropian në vitin 2022, mundësia që kandidatët e rinj të “kapërcejnë radhën” ka krijuar jo pak shqetësim në Ballkanin Perëndimor. Megjithëse nxitja për anëtarësimin e tyre në BE ishte rezultat i shpërthimit të luftës në Ukrainë, ritmi relativisht i shpejtë me të cilin kanë ecur deri më tani këto vende, nuk është pritur gjithmonë ngrohtësisht nga kandidatët e kahershëm në Ballkan.
Megjithatë ekspertët thonë se për disa arsye kjo “garë” është kryesisht e parëndësishme. Së pari, janë të pakta perspektivat për të përshpejtuar të gjithë procesin, veçanërisht kandidaturën e Ukrainës. Së dyti, Ukraina dhe Moldavia kanë kaluar deri më tani vetëm pjesën më të lehtë të procesit, teksa puna e vërtetë fillon tani.
Së fundi, pavarësisht sinjaleve inkurajuese ende nuk është i garantuar një vrull më i fortë për zgjerimin e BE-së. Ukraina dhe Moldavia aplikuan për anëtarësim në Bashkimin Evropian disa javë pas fillimit të pushtimit rus në vitin 2022, dhe morën statusin e kandidatit në qershor të po atij viti.
Këshilli Evropian vendosi zyrtarisht të hapë bisedimet e pranimit në dhjetor 2023, duke i dhënë në të njëjtën kohë statusin e kandidates Gjeorgjisë. Shpejtësia relative me të cilën përparuan kandidatët e rinj të Evropës Lindore, u frenua shpejt nga gjendja e anëtarësimit të kandidatëve të Ballkanit Perëndimor.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, i hapën negociatat e tyre të anëtarësimit vetëm në korrik 2022 pas shumë vitesh pritje. Bosnje Hercegovina e mori statusin e vendit kandidat vetëm 6 muaj pas Ukrainës dhe Moldavisë, teksa hapja e negociatave të anëtarësimit të saj është ende në pritje.
Kosova nuk njihet ende si kandidate. Nga ana tjetër, Mali i Zi dhe Serbia nuk kanë hedhur prej vitesh ndonjë hap zyrtar përpara në këtë proces. Në shtatorin e vitit 2023, Financial Times raportoi se “disa udhëheqës të Ballkanit Perëndimor, po bëhen gjithnjë e më të frustruar që Ukraina po ua kalon në procesin e pranimit në BE”.
Po vitin e kaluar, POLITICO publikoi një deklaratë të ministrit serb për Integrimin Evropian, ku thuhej se BE nuk reagoi aq shpejt me Ballkanin Perëndimor sa me Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Por ka pasur deklarata më të ashpra për këtë gjendje, ku disa media në Ballkanin Perëndimor raportojnë se është e padrejtë që vende si Bosnje Hercegovina të lihen në dhomën e pritjes, ndërsa vendet në Evropën Lindore, integriteti territorial i të cilave është cenuar, po përparojnë me shpejtësi.
Dhe nuk është për t’u habitur që zyrtarët rusë dhe mediat shtetërore i shfrytëzuan gjithashtu këto përçarje. Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov, deklaroi në shtatorin e vitit të kaluar se BE-ja “po i pranonte nazistët jashtë radhës, ndërsa Serbia, Turqia dhe të tjerët do të duhet të presin”.
Duke reaguar ndaj këtyre narrativave, Komisioneri i Zgjerimit Olivér Várhelyi tha në fillim të këtij muaj se “nuk është ide e mirë të përpiqesh të krijosh një garë midis Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës”, dhe se “kushtet janë kushtet dhe ato duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë nga çdo vend kandidat”.
Megjithatë, jo të gjithë besojnë se duhet të jetë kështu. Sipas Raportit të Konferencës së Sigurisë së Munihut, i publikuar së fundmi, 75 për qind e ukrainasve besojnë se BE-ja duhet të përshpejtojë aplikimin e Ukrainës për anëtarësim “edhe nëse kjo do të thotë të ulë standardet e saj për këtë proces”.
Por raporti vë në dukje mosmarrëveshjet brenda Bashkimit Evropian për këtë çështje dhe është i kujdesshëm në lidhje me këtë perspektivë. Ekspertët thonë se këto pritshmëri duhet të menaxhohen me kujdes. Natasha Wunsch, profesore e Studimeve Evropiane në Universitetin e Friburgut, thotë se është e rëndësishme të mos harrohet se fillimi i procesit të pranimit ishte kryesisht një gjest simbolik solidariteti ndaj Ukrainës.
Sipas saj negociatat e zgjerimit, ka të ngjarë të zgjasin të paktën një dekadë dhe nuk mund të fillojnë seriozisht përpara se të marrë zgjidhje konflikti ushtarak me Rusinë. “Pavarësisht frikës midis vendeve të Ballkanit Perëndimor se Kievi mund të ‘kapërcejë radhën’, fakti është se një zgjerim në grup i Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës, ndoshta së bashku me Moldavinë dhe Gjeorgjinë, mund të parashikohet të ndodhë pas 10-15 vitesh”- thotë Wunsch.
Edhe Teona Lavrelashvili, analiste e politikave në Qendrën e Politikave Evropiane me seli në Bruksel, dyshon se Ukraina do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian më herët se disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo për disa arsye, por mbi të gjitha sepse vendi është i përfshirë në një luftë.
“Përveç kësaj, pranimi i Ukrainës, me popullsinë e saj prej 44 milionë banorësh, do të ndikonte në mënyrë të pashmangshme në dinamikën institucionale dhe buxhetore të Bashkimit. Ai do të vinte në pikëpyetje kohën dhe natyrën e reformave të nevojshme, si ato në Politikën e Përbashkët Bujqësore dhe Fondet e Kohezionit. Drejtimi dhe ritmi i këtyre reformave janë të pasigurta dhe do të varen në masë të madhe nga lidershipi i ardhshëm i BE-së”- thotë ajo.
Sipas Lavrelashvilit, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor të këtij viti parashikohen të sjellin një zhvendosje të madhe në të djathtë, me fitoret e partive të djathta radikale e populiste, gjë që mund të ndikojë potencialisht në procesin e zgjerimit si dhe mbështetjen për Ukrainën.
“Ndonëse procesi i zgjerimit, është bërë shumë më politik dhe gjeopolitik, menaxhimi i pritshmërive në lidhje me afatin kohor të anëtarësimit të Ukrainës në BE do të jetë vendimtar për të shmangur zhgënjimin”- thotë Lavrelashvili.
Adnan Ćerimagić, analist në Iniciativën Evropiane të Stabilitetit, thekson se edhe Estonia, Republika Çeke dhe Kroacia kaluan në fillim nëpër të njëjtat faza po aq shpejt sa Moldavia, apo edhe më shpejt. Ai shton se tani 2 testet kryesore për BE-në, do të jetë ajo që do të ndodhë më pas.
“Së pari, a ka një angazhim të qartë politik për të çuar Ukrainën dhe Moldavinë tek objektivi tjetër? A do të jetë ky një qëllim real për të finalizuar bisedimet, dhe për t'u bërë anëtare me të drejta të plota të BE-së apo të paktën anëtare në tregun e saj të përebashkët dhe përfituese të 4 lirive? Apo do të jetë një qëllim bosh hapja e 33 kapitujve që mund të zgjasin edhe 8 vjet, siç ndodhi me Malin e Zi, apo më shumë se një dekadë siç do të jetë rasti i Serbisë?”- pyet Ćerimagić.
Dhe testi i dytë i madh do të jetë nëse BE-ja do të jetë e gatshme të përsërisë qasjen e saj ndaj Ukrainës dhe Moldavisë në Ballkanin Perëndimor. “Ajo që kemi parë deri më tani është më pak se inkurajuese. Qasja e Komisionit Evropian ndaj Bosnjes, është në kontrast të plotë me atë që kemi parë me Ukrainën dhe Moldavinë.
Merrni kushtin e miratimit të Programit Kombëtar për Adoptimin e Acquis Communitaire.
Në rastin e Ukrainës, ndryshe nga Bosnja, Komisioni nuk e ka vënë si kusht për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Kjo sepse edhe për vendet jofederalizuara ky dokument është një detyrë e madhe dhe e vështirë”, thekson Ćermigaić.
Por disa analistë vlerësojnë se, përveç qasjes së ndryshme që BE-ja ka ndaj Ukrainës dhe Moldavisë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu përgjegjëse për ritmin e ngadaltë të procesit të anëtarësimit të tyre. Kurt Bassuener, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, thotë se diferenca aktuale midis kandidatëve të Evropës Lindore dhe Ballkanit Perëndimor është vullneti politik për të zbatuar reformat e nevojshme./Përshtati Pamfleti nga “European Western Balkans”
Marrë me shkurtime
Lini një Përgjigje