
Ndërsa Erion Veliaj ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese pezullimin e dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Tiranës, Partia Socialiste nuk ndalet në përgatitjet për fushatë. Kandidatura e Ogerta Manastirliut shihet si prioritet politik për mazhorancën dhe strukturat e PS-së janë thirrur në mobilizim të plotë.
Burime nga selia rozë konfirmojnë se kryeministri Edi Rama do të mbledhë nesër në orën 16:30, në Hotel Tirana, drejtuesit politikë të kryeqytetit. Në takim pritet të marrin pjesë ministra, deputetë, përfaqësues të bashkisë, por edhe ish-deputetët që kanë kandiduar më parë në zgjedhjet lokale të Tiranës. Diskutimi do të fokusohet në koordinimin e aktiviteteve elektorale dhe mobilizimin e çdo strukture për garën e 9 nëntorit.
Përveç mbledhjes me strukturat, kryeministri pritet të dalë edhe në një konferencë për mediat nesër në orën 11:30, ku pritet të japë mesazhe të qarta mbi garën elektorale dhe kundërshtimin ndaj lëvizjes ligjore të Veliajt.
Lini një Përgjigje