Vizita e kryeministrit Edi Rama në Kosovë duket se nuk ka prodhuar asgjë në raportet Tiranë-Prishtinë.
Rama vendosi të ndërmarrë një tur takimesh në Ballkan, me argumentin se po bëhet në kuadër të Procesit të Berlinit. Por duket se ky tur u tentua të shfrytëzohej nga Kryeministri për të bërë rolin e negociatorit mbi përplasjet Prishtinë-Beograd. Mirëpo Ramës duket se i dështoi plani, pasi “i zoti punës” e refuzoi.
Pas takimeve në Shkup, Rama shkoi këtë pasdite në Prishtinë dhe në nivel zyrtarësh shtetërorë takoi vetëm presidenten Vjosa Osmani dhe kreun e Kuvendit Glauk Konjufca. Ndryshe nga sa ndodhi në Shkup, me ta nuk pati asnjë konferencë për mediat. Osmani u mjaftua vetëm me një postim të shkurt në Facebook.
“Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit. Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”, shkruan Osmani.
Më pas Rama është takuar me kreun e Kuvendit, Glauk Konjufca dhe me ambasadorin e SHBA në Kosovë, Jeff Hovenier.
Ajo që ra në sy është fakti se sapo Rama mbërriti në Presidencë, Albin Kurit iku nga zyra. Kryeministria, Kuvendi dhe Presidenca janë pranë njëra-tjetrës në Kosovë dhe gazetarët filmuan momentin kur Kurti largohej nga Kryeministria. Edhe pse u pyet nëse do e takonte Ramën, nuk pati një përgjigje nga ana e tij. Deri më tani nuk ka asnjë konfirmim se do ketë një takim, duke vulosur në këtë mënyrë një krisje të madhe në raportet mes Prishtinës dhe Tiranës.
Albin Kurti u hakmor ndaj tij për anulimin e mbledhjes mes dy qeverive pak javë më parë. Kryeminsitri i Kosovës i vuri kusht që gjatë vizitës, Rama të shkonte bashkë me ministrat dhe të bënin një mbledhje qeverie. Rama i firmosi marrëveshjet që do të miratoheshin dhe i dërgoi në Ministrinë e Jashtme në Kosovë. Por edhe pas kësaj, Kurti nuk ka lëshuar pe.
Që pasi rritjes së tensioneve Kosovë-Serbi, raportet mes Ramës dhe Kurtit janë acaruar. Rama kritikoi shpesh Kurtin dhe e bëri fajtor për situatën. Kjo duket se nuk u kapërdi nga kryeministri Kurti, i cili duket se sot i mbylli derën.
Lini një Përgjigje