Situata në grupin parlamentar të partisë socialiste nuk është aspak e qetë…
Fatmir Xhafaj dhe Erion Braçe janë përplasur në sallën e Kuvendit, ndërsa seanca ishte në kaos si pasojë e sherrit me opozitën.
Në një nga momentet e këtij sherri, shihet që ish-ministri i Brendshëm dhe senatori socialist ka shkuar tek vendi ku ndodhet Erion Braçe dhe janë zënë me fjalë.
Në pamje dallohet se të dy deputetët kanë debatuar nervozë dhe me gjeste me njëri tjetrin.
Burime nga grupi parlamentar i PS-së bëjnë të ditur se shkaku i sherrit ka qenë reagimi i Braçes, i cili i ka thënë Gazmend Bardhit: Mos na çaj trapin!
Kjo ka ardhur pas fyerjes që Ermonela Felaj, i ka thënë palaço deputetëve të opozitës.
Xhafaj, ka shkuar tek Braçe, duke i thënë se ty nuk të lejohet asnjë veprim i pahijshëm, edhe pse nuk është ai objekt i akuzave.
Por Braçe me nerva i është përgjigjur se ata janë “by**irë”, e këtu Xhafaj ka shtuar, që nuk mundesh ti të përdorësh këtë gjuhë, sepse je deputet me përvojë dhe nuk duhet të përdoresh për politikën e ditës.
Më pas Xhafaj ka shkuar në vend, i mërzitur nga reagimi i kolegut të tij, të cilit duket i është drejtuar për rolin kritik ndaj qeverisë dhe lidershipit të PS-së që kanë ndërmarrë kohët e fundit.
Në një intervistë të fundit, Fatmir Xhafaj ka kritikuar fort Edi Ramën, duke i thënë se PS do të katandiset si PD-ja nëse nuk bën ndryshimet e duhura.
Ai i ka kërkuar Ramës që të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në qeveri dhe jo një make- up të thjeshtë. Ndërkaq, Xhafaj ka qenë kritik edhe për mënyrën sesi është duke funksionuar drejtësia e re, si dhe emërimet e saj. Ku edhe pse nuk ka përmendur emra, e ka pasur edhe me rastin “Felaj”, e cila ka të punësuar 4 familjarë të saj në prokurorinë e Tiranës.
Situata në grupin parlamentar nuk është aspak e qetë, e disa ditë më parë kur ka munguar Edi Rama, një pjesë deputetësh kanë kërkuar që të bëhet mbledhja në prezencën e Kryeministrit. Duket që deputetët nuk do ta pranojnë lehtë emërimin e Toni Gogut në rolin e kreut të grupit, duke e konsideruar një politikan pa përvojë të mjaftueshme dhe pa një konsensus ndërmjet socialistëve. / Pamfleti
Lini një Përgjigje