
Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, teksa ka raportuar për zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashkitë e vendit, tha se procesi është zhvilluar pa problematika.
Celibashi u shpreh se janë evidentuar vetëm dy raste që po verifikohen, një në Cërrik, i cili lidhet me sjelljen e një vëzhguesi dhe një tjetër në Vlorë, për një debat mes kryetares së qendrës së votimit dhe operatorit të identifikimit.
“Nuk rezulton të ketë problematika të zhvillimit të procesit. Është raportuar për dy problematika, një në Cërrik, për sjelljen e një vëzhguesi, por jemi duke e verifikuar nëse ky vëzhgues ka qenë duke parë se për kë po votonte votuesi. Në Vlorë, ka pasur një diskutim ndërmjet kryetares së QV me operator për procedurat e identifikimit. KQZ po e verifikon se cila ka qenë zgjedhja e secilit prej këtyre dy funksionarëve”, u shpreh kreu i KQZ.
Celibashi theksoi gjithashtu pjesëmarrjen e ulët të të rinjve në votime. Ai shtoi se ky është një trend global në mungesës së interesit të kësaj grupmoshe për proceset politike.
Celibashi apeloi që institucionet, partitë dhe organizatat të punojnë më shumë për nxitjen e angazhimit të të rinjve në zgjedhje.
“Është trend edhe në vende të tjera që ky grup votuesish nuk kanë interes të madh për të qenë të aktivizuar në procese politike, mesa duket edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky trend europian, apo edhe global, për aq sa unë e njoh që është kështu. Ne kemi bërë shumë për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në procesin zgjedhor, por edhe partitë politike dhe organizata të ndryshme duhet të punojmë në nxitjen e kësaj grupmoshe për të qenë më të interesuar”, tha ai.
Lini një Përgjigje