
Kuvendi i ri i Shqipërisë u konstitua në seancën e 12 shtatorit, atje ku deputetët u betuan duke marrë zyrtarisht edhe mandatet.
Por në këtë seancë mandatet u dhanë për 136 nga 140 anëtarët e Kuvendit, pasi 4 prej tyre mungonin. Bazuar në rregulloren e Kuvendit, kur një deputet mungon në seancën e parë, ai e kryen betimin në seancës e rradhës, gjë që ndodhi edhe sot.
Kështu Albana Vokshi, Fatmir Mediu dhe Oerd Bylykbashi u betuan duke marrë zyrtarisht mandatet e deputetëve. Ndërkohë Jozefina Topalli nuk ishte e pranishme sërish në seancë, por u paraqit gjatë zhvillimit të saj.
Në këtë mënyrë, Topalli u bë ligjvënësja e fundit që mori mandatin, duke u rikthyer zyrtarisht në Kuvend pas 8 vitesh mungesë. Ajo ishte pjesë e listës së mbyllur të demokratëve dhe aleatëve të saj, në Qarkun e Tiranës.
Topalli ka qenë deputete deri në 2017, kohë kur Lulzim Basha, në atë kohë kryetar i PD-së, vendosi të mos e përfshijë në listat e kandidatëve të opozitës. Në zgjedhjet e 2021, Topalli tentoi të fitonte mandatin e deputetes duke garuar me një forcë politike të themeluar prej saj, por dështoi.
Me rikthimin e Sali Berishës në kreu të PD-së, Jozefina Topalli u përfshi në listat e sigurta të kandidatëve për deputet.
Gjatë qeverisjes së PD-së, Topalli drejtoi për 8 vite Kuvendin e Shqipërisë, duke u bërë e vetmja që përfundoi dy mandate të plota në këtë funksion, në 35 vitet e pluralizmit.
Lini një Përgjigje