TAGS-AT E JAVËS

Politike 9 Nëntor 2023, 09:38

Zyrtare: Kërkohet përjashtimi i Edi Ramës nga Socialistët Europianë

Shkruar nga Pamfleti
Zyrtare: Kërkohet përjashtimi i Edi Ramës nga Socialistët
Foto: Nga takimi i socialistëve Europianë /

“Pakti Giorgia Meloni-Edi Rama, nuk është gjë tjetër veçse një bombul e madhe oksigjeni për mafien shqiptare që të ketë sërish në duart e saj trafikun e klandestinëve, e brenda saj edhe të narkotikëve.”

Partia Socialiste e Edi Ramës ndodhet për herë të parë në 30 vjet, në momentet më të vështira të situatës së saj ndërkombëtare, pasi është bërë një kërkesë zyrtare për ta përjashtuar nga Partia Socialiste Europiane.

Kërkesë -vendimi është protokolluar në Kongresin e PSE që po mbahet në Malaga, sot dhe nesër, ku do të marrin pjesë liderët më të rëndësishëm të këtij grupimi politik, si Olaf Schols, kancelari gjerman; Petro Sanchez, kryeministri spanjoll, si edhe liderë të tjerë.

Kërkesa për ta përjashtuar PS-në nga PSE është hartuar zyrtarisht nga Partia Demokratike Italiane, që është forca kryesore e opozitës në Itali, e drejtohet nga Ely Schleyn. Një filoshqiptare e shkallës së lartë, pasi ndër të tjera ajo ka qenë asistent-regjizore e filmit “Anija Vlora” të Roland Sejkos, por edhe raportuese për Shqipërinë kur ishte europarlamentare.

Shkresën e ka firmosur sekretari për marrëdhëniet me jashtë i PDI-së, Peppe Provenzano, ish-ministër dhe figurë e njohur politike e së majtës nga Siçilia.

Sipas opozitës italiane, Edi Rama, ka prekur thelbin e vlerave që përfaqëson e majta siç është solidariteti, pas marrëveshjes me Giorgia Melonin për të ngritur në Gjadër të Lezhes, një kamp për emigrantët që vijnë nga Afrika.

Pavarësisht se gjasat janë që të mos miratohet sot përjashtimi i PS-së, vete ngritja zyrtarisht e kësaj çështje është një zhvillim i rëndësishëm politik. Madje prej kohësh Edi Rama ka marrë mjaft ankesa e kritika nga kolegët e tij të së majtës europiane për një afrim me pjesë të sovranistëve të djathtë, përdorimin e politikave të majta, e ç’është më e rëndësishmja për lidhjet e favoret ndaj krimit të organizuar, pra asaj që në mediat europiane quhet mafie shqiptare.

Marrëdhëniet e afërta dhe mbështetja direkte e Edi Ramës për Rexhep Tajip Erdoganin dhe Viktor Orbanin, janë konsideruar si blasfemi politike disa herë nga kolegët e tij në PSE. Madje Partia Socialiste e Hungarisë, e cila vuan prej kohësh sundimin populist të Orbanit, ka përgatitur një material të detajuar, ku sqaron arsyet e kësaj martese jo të natyrshme.

Sipas materialit të P.S.H, e cila do të botohet në ditët e ardhshme në mediat kryesore gjermane, arsyeja e lidhjes Rama-Orban, përveç relacionit me Erdoganin, e këtu nuk përjashtohen dhe fijet që vijnë nga Kremlini, përmenden aferat për të cilat ranë dakord Rama dhe Orban; një kompani Hungareze të merrte me një dorë një bankë të rëndësishme në Shqipëri si dhe dy kompanitë e mëdha të telefonisë celulare dhe shpërndarjes së internetit One dhe Albtelecon që dikur e kishin turqit e Calik.

Ndërkaq, gazeta më e rëndësishme e së majtës në Itali, La Repubblica, që është në pronësi të grupit FIAT, thekson se pakti Giorgia Meloni-Edi Rama, nuk është gjë tjetër veçse një bombul e madhe oksigjeni për mafien shqiptare që të ketë sërish në duart e saj trafikun e klandestinëve, e brenda saj edhe të narkotikëve. / Pamfleti

 

pes edi rama përjashtimi socialistët europian

Lini një Përgjigje