Kosova28 Mars 2023, 08:16

24 vjet nga masakra në Izbicë të Drenicës, ende asnjë i dënuar

Shkruar nga Pamfleti

24 vjet nga masakra në Izbicë të Drenicës, ende asnjë i

Sot bëhen 24 vjet nga masakra e Izbicës, ku më 28 mars 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan, ndërsa pjesën tjetër e dëbuan jashtë Kosovës.

Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.

Sot 24 vjet pas këtij krimi askush nga autorët dhe ekzekutuesit serbë nuk doli para drejtësisë vendore dhe asaj ndërkombëtare.

Masakra e Izbicës zë vend edhe në raportin e Departamentin të SHBA-së. Atë kohë u publikuan edhe fotografitë e bëra nga sateliti, në të cilat qartë shihen 147 varrezat e reja në Izbicë.

Edhe pse forcat serbe ishin munduar të fshihnin krimin duke zhvarrosur të vrarit e Izbicës, për ti varrosur në lokacione të ndryshme nëpër Serbi e Kosovë, ishin pikërisht satelitët e NATO-s ata që nxorën të vërtetën në sipërfaqe. Përmes një konference për media të NATO-s, u njoftua për kryerjen e këtij krimi ndaj popullsisë civile.

Pas këtij publikimi, ekipet e specializuara serbe, për fshehjen e krimeve i kishin zhvarrosur kufomat dhe i kishin dërguar në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi. Por, në një dokument të vitit 1999 të gjyqtarit hetues, Nebojsa Avramoviq, më datë 31.05.1999 ai jepte urdhër Prokurorit të Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, Risto Pecel, për zhvarrosje  të kufomave në Izbicë të Skenderajt. Në urdhër thuhej se në internet ishte përhapur lajmi se në Izbicë kishte një varrezë masive dhe organet shtetërore serbe duhej ta vërtetonin këtë fakt.

Në anën tjetër edhe prokurori Pecel shumë shpejt  arrinë të mohojë se ekzistonte. Dhe përsëri pas 24 vjetësh kjo masakër është pa një autorë. 

kosova nato shba izbices