
Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit në orët e para të mëngjesit të së dielës, që la të vdekur një oficer policie dhe një të plagosur, ka bërë jehonë në mediat ndëkombëtarëve.
Sipas autoriteteve kosovare, ngjarja ka ndodhur në fshatin Banjskë të Leposaviqit.
Persona të armatosur rëndë dhe të paidentifikuar kishin bllokuar me dy kamionë rrugën Mitrovicë-Leposaviq.
Aty shkoi patrulla e policisë, por në këtë moment personat e armatosur hapën zjarr ndaj makinës së policisë. Plumbat i morën jetën policit Afrim Bunjaku me gradën rreshter, ndërsa i plagosur ka mbetur një punonjës i policisë kufitare të Kosovës.
Mediat e Kosovës raportojnë se sulmuesit janë vendosur në një manastir në Banjskë.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë bërë aq të njëanshme sa kanë arritur në një rrugë pa krye, shkruan prestigjozja The Guardian teksa citon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
"Më shumë se një dekadë e përpjekjeve ndërmjetësuese të udhëhequra nga evropianët, së fundmi në Moldavi dhe Bruksel, kanë dështuar në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe Beogradi ende refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008 sipas një plani të sponsorizuar nga OKB-ja.
Të dielën, tensionet u rritën sërish pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri në veri të Kosovës, në dhunën e parë në rajon prej muajsh.
Kryeministri, Albin Kurti, tha në një intervistë për Guardian të dhënë para dhunës së kësaj fundjave se paqëndrueshmëria e vazhdueshme e kishte bërë rajonin “një shesh lojrash për lojërat gjeopolitike të Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës.”, shkruan media britanike.
Ndërsa BBC, shkruan se Kurti ka akuzuar Serbinë se mbështet atë që ai e quajti një "sulm terrorist" .
"Tensionet janë rritur në Kosovë, pas përleshjeve të dhunshme pas zgjedhjeve të diskutueshme lokale në maj.", citon BBC.
Nga ana tjetër gazeta franceze Le Monde, thekson ky është një skenar i përsëritur në veri të Kosovës.
"Kosova veriore është skena e trazirave të përsëritura dhe tensioni atje u rrit papritur në maj kur autoritetet kosovare vendosën të emërojnë kryetarët shqiptarë në katër komuna me shumicë serbe. Më shumë se 30 ushtarë të KFOR-it, forca e udhëhequr nga NATO në Kosovë, u plagosën në fund të majit në përleshjet me demonstruesit serbë.", citon Le Monde.