
Pas vrasjes oficerit të Policisë së Kosovës dhe plagosjes së një tjetri mëngjesin e sotëm në veri të vendit, ka reaguar KFOR-i.
Në reagimin e tyre thuhet se KFOR-i po vijon të monitorojë nga afër situatën në Banjska dhe trupat e tyre janë të pranishme në zonë, të gatshme për t’iu përgjigjur nëse do të nevojitet ndërhyrja e tyre.
“Policia e Kosovës, si reaguese e parë, ka përgjegjësinë parësore për menaxhimin e incidentit në terren.
Komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare, përfshirë BE-në, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe me institucionet në Kosovë dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
Më tej theksohet se se misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënon fuqishëm sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe të dashurit e të ndjerit Afrim Bunjaku.
Kujtojmë se, efektivi i forcave të rendit nga Samadrexha e Vushtrrisë u qëllua për vdekje sot rreth orës 3 të mëngjesit, në një pritë nga persona të maskuar në Banjskë të Zveçanit.
Ata i kanë bllokuar rrugën makinës së Policisë në Mitrovicë- Leposaviç me dy kamionë dhe më pas kanë qëlluar me armë në drejtim të tyre. Për pasojë, u plagos edhe një person tjetër.
Bunjaku është polici i dytë që vritet në veri të Kosovës, ndërsa në vitin 2011 Enver Zymberi, nga Dubovci i Vushtrrisë ra në krye të detyrës.
Ai u vra më 26 korrik 2011, gjatë aksionit të forcave të Republikës së Kosovës për ta shtrirë kontrollin në veri të vendit.
Për ngjarjen kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një reagim në Facebook e ka konsideruar një akt terrorist, duke thënë se krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po sulmon shtetin e Kosovës.