Kosova14 Mars 2023, 15:31

Bisedimet Prishtinë-Beograd, Escobar këtë javë vizitë në Kosovë dhe Serbi

Shkruar nga Pamfleti
Bisedimet Prishtinë-Beograd, Escobar këtë javë vizitë
I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar

I dërguari i posaçëm i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të vizitojë Serbinë më 15 mars.

Sipas burimeve të REL zyrtari i lartë amerikan, do të vizitojë edhe Kosovën gjatë kësaj jave. Në Beograd, Escobar pritet të zhvillojë takime të ndara me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe me kryeministren serbe, Ana Brnabiç.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Serbi do të zhvillohet tre ditë para raundit të ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Po ashtu, Escobar do të qëndrojë në Beograd pas vizitës dyditore të emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili, po ashtu javën e kaluar qëndroi në Kosovë, për të përgatitur takimin e Ohrit.

SHBA-ja mbështet procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Uashingtoni po ashtu mbështet propozimin evropian për normalizimin e raporteve, i cili është pranuar më 27 shkurt nga Kosova dhe Serbia. Në takimin e 18 marsit pritet që Kosova dhe Serbia të bisedojnë për zbatimin e këtij propozimi.

escobar kosovë serbi