Kosova29 Shtator 2023, 18:35

Blinken telefonatë kërcënuese me Vuçiç, paralajmëron sanksione ndaj Serbisë pas sulmit terrorist në Veri

Shkruar nga Pamfleti

Blinken telefonatë kërcënuese me Vuçiç,

Vuçiç duket se ka marrë një telefonatë kërcënuese nga numri dy i SHBA. “Pamfleti” pak ditë më parë tregoi se ishin amerikanët ata që falë përgjimeve zbuluan të parët skenarin ogurzi në Veri...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar Serbinë se do të marrin masa ndaj saj, pas sulmeve në veri te Kosovës. Këtë e ka konfirmuar ditën e sotme presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili tha se ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken rreth situatës në Kosovë.

Ai tha se i ka komunikuar Blinkenit se është kundër masave të vendosura ndaj Serbisë. Vuçiç justifikohet duke thënë pajtohet me Sekretarin Amerikan të Shtetit se shtensionimi i situatës është i nevojshëm, ku sipas tij rol të rëndësishëm ka KFOR-i. Por duket se ka marrë një telefonatë kërcënuese nga numri dy i SHBA. “Pamfleti” pak ditë më parë tregoi se ishin amerikanët ata që falë përgjimeve zbuluan të parët skenarin ogurzi në Veri.

“Kam folur me Blinken ku u pajtuam se shtensionimi është i nevojshëm, një rol më i fuqishëm i KFOR-it, në veçanti në veri. Mohova gënjeshtrat rreth një shkalle të lartë gatishmërie të ushtrisë serbe. Ne nuk pajtohemi me natyrën e asaj që ka ndodhur në Kosovë. Blinken më foli gjithashtu për disa masa. Unë thashë se jam kundër”, u shpreh Vuçiç.

Më herët ishte ambasadori amerikan në Kosovë, ai i cili u shpreh se sulmi ka qenë i mirëoganizuar, duke dhënë sinjale se pas gjithçkaje fshihej Serbia.

“Ne e dimë se ishte i koordinuar dhe i sofistikuar”, u shpreh ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier për “Politico”, duke shtuar se personat e armatosur duket se kanë qenë të stërvitur ushtarakisht. “Sasia e armëve tregon se kjo ishte serioze, me një plan për të destabilizsuar sigurinë në rajon”.

Policia e Kosovës tha se një grup prej rreth 30 serbësh të armatosur rëndë i zunë pritë një patrulle policie herët të dielën, duke vrarë një oficer dhe duke plagosur një tjetër, përpara se të iknin dhe të strehoheshin në një manastir ortodoks aty pranë. Tre personat e armatosur u vranë në një shkëmbim zjarri me policinë dhe dy u arrestuan. Shumica e të armatosurve serbë arritën të dilnin fshehurazi nga manastiri dhe të arratiseshin në këmbë, thanë autoritetet e Kosovës.

Zyrtarët perëndimorë thanë se incidenti reflektoi tensionet e shtuara gjeopolitike në Ballkan, pasi Rusia, e frustruar nga mbështetja e fortë e Evropës për Ukrainën, përpiqet të përdorë ndikimin e saj me aleatët në Serbi dhe gjetkë për të nxitur tensionet, veçanërisht në Bosnje dhe Kosovë.

Hovenier tha se SHBA-së i duhet ende për të përcaktuar nëse Serbia ishte përgjegjëse për këtë sulm, siç pretendon Kosova, por ai tha se pajisjet e konfiskuara nga autoritetet kosovare, ku përfshihen raketahedhës, mina dhe një transportues të blinduar të personelit, ishin të “gradës ushtarake të padisponueshme për qytetarin e zakonshëm”.

vucic masa serbi blinken