
Prokuroria Speciale e Kosovës ka publikuar listën e materialeve që janë sekuestruar në banesën e Milan Radoičić.
Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ka zhvilluar sot aksion për bastisje në pesë lokacione të ndryshme në komunat e pjesës veriore të Kosovës, kryesisht në pronat të cilat tanimë janë të evidentuara si prona të Milan Radoičić.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se operacioni Policor ndërlidhet me sulmin terrorist të datës 24.9.2023, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit. Kontrolle janë kryer dhe në hapësirën e një objekti ndihmës të Spitalit Rajonal në Mitrovicë-Veri. Prokuroria ka treguar dhe listën e materialeve të sekuestruara.
“Ky objekt i spitalit përdoret për sistemin e ngrohjes së spitalit dhe nuk ndërlidhet me hapësirat e spitalit ku trajtohen pacientët. Pas realizimit të urdhër kontrollit në pronat e të dyshuarve janë sekuestruar në cilësi të provave materiale: Dy automjete mercedes, argjend 4.84 kg, dy motor 4X4, 1 barkë-anije, 7 DVR, dy pllaka antiplumb me dy mbrojtës, tre thika, rutera, dy çelësa të veturave, pesë gëzhoja, një dronë, pesë USB, një kamera GoPro- SSD, një video kamerë me kartelë, një shënjestër optike, një spray, shtatë telefona celular”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu, Prokuroria Speciale do të kërkojë sekuestrimin e një vile buzë liqenit të Ujmanit, një penthouse dhe një lokal.
Prokuroria Speciale ka njoftuar se Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe aktiviteteve policore, në interes të ruajtjes së rendit kushtetues, ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve pa dallim.