
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur as ditën e sotme që të konstituojnë përbërjen e re parlamentare, duke shënuar dështimin e 28 me radhë.
Ashtu si në seancat e kaluara parlamentare, nisur prej 15 prillit, skenari ishte i njëjtë: seanca zgjati pak minuta dhe vazhdon pas 48 orësh. Ndërsa seanca e radhës do të jetë më 9 qershor.
Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës tha në nisje të seancës se ndihet i keqardhur që qytetarëve dhe nevojave të tyre nuk po u kushtohet vëmendja e duhur dhe shtoi se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) synon të zvarritë procesin deri në zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në muajin tetor.
Armend Zemaj nga Lidhjes Demokratike të Kosovës u shpreh se kjo që po ndodh në Kuvend është e tepërt ndërsa theksoi se Lëvizja Vetëvendosje ose duhet të hapë rrugë, ose të ofrojë një mundësi “për t’i dhënë fund ngërçit”.
Pas seancës, Albulena Haxhiu e LVV-s tha se është përgjegjësi edhe e partive tjera që të kontribuojnë në konstituim të Kuvendit.
“Urojmë që të kemi reflektim, është e rëndësishme që secili deputet të jetë në krye të detyrës. Sa më parë që ndodh është më e mirë për vendin dhe qytetarët e Kosovës”, u shpreh Haxhiu.
Kjo është hera e 20-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formim të komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.
Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, dhe ajo këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë tjera ajo është e papranueshme dhe konsiderohet figurë përçarëse.
Lini një Përgjigje