Kosova15 Mars 2023, 18:30

Dialogu Kosovë-Serbi, Vuçiç pas takimit me Escobar: Nuk ndryshojmë qëndrim, marrëveshjet duhen respektuar

Shkruar nga Pamfleti

Dialogu Kosovë-Serbi, Vuçiç pas takimit me Escobar: Nuk

I dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Gabriel Escobar, ka vizituar sot Beogradin ku është takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi.

Menjëherë pas takimit me Escobar, Vuçiç në një postim të bërë në rrjetet sociale tha se biseda kishte qenë e hapur dhe korrekte dhe se besonte në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Serbisë.

Ndërkohë që në komunikatën e bërë publike nga presidenca e Serbisë, thuhet se gjatë takimit është diskutuar procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën si dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti Vuçiç përsëriti qëndrimin e pandryshuar të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani dhe ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare”, thuhet në njoftim.

Vizita e Escobar në Ballkan, vjen pak ditë para mbajtjes së takimit mes Kurtit dhe Vuçiç në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, pritet firmosja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Pas Beogradit, Escobar pritet të vizitojë edhe Kosovën për t’u takuar me Kurtin para mbajtjes së takimit në Ohër.

escobar vuçiç dialogu