
Kemi problem, kombëtar. Problemi është se në vlugun e negociatave ndërkombëtare, pikërisht kur u arrit që për “normalizim të marrëdhënieve me Serbinë” të bisedohet si për një çështje ndërkombëtare, është me rëndësi , që pikërisht tani të ndahen trimat prej frikacakëve.
Në rregull, pajtohem se trimëria nuk është virtyti kryesor i një politikani. Duhen edhe mend. Duhen edhe parime. Tani njerëz jemi, nuk i kemi të gjitha. Me një “biznes” duhet të merremi për të mbijetuar. Por, biznesi më i fuqishëm ndër ne është pikërisht...politika. Ne që nuk jemi në politikë, flemë zbathur. Por politikanët ...“janë lakuriq”. Çfarë nuk bëjnë për pak publicitet.
Për shembull, Berisha njihet si trim, ndërkohë që Rama nuk njihet si i tillë. Për Metën ka mendime të ndara, ndërsa për Lulin nuk flitet. Nuk është komentuar trimëria e tij. Edhe në Kosovë ka trima dhe frikacakë, në politikë. Për shembull, ka deputetë në shumë mandate, që janë zgjedhur për trimëri. Ndërsa Albini duket se nuk është aq trim sa mbahet.
Një deputete dëshmon se gjatë luftës e kanë lutur kryeministrin aktual të Kosovës, që të rreshtohet me trimat, të kapë mitralozin, të ndjek shembullin e Ademit, por jo, ai nuk e bëri. Zgjodhi të rrijë në Prishtinë, në të sigurt, bashkë me Ademin tjetër.
Ademi (Demaçi) i cili e mori në zyrën e tij, ishte frikacak po ashtu. Edhe ai, ka mundur fare mirë të shkojë në shtab, kuptohet në atë të Zonës së Llapit, se në Shtab të Përgjithshëm nuk e pranonin. Punë moshe, sigurisht, pastaj vendet në Shtabin e Përgjithshëm ishin zënë në bazë të meritave dhe trimërisë. Ademi, nuk kalonte, me asnjërin kriter. Nuk e kapi mitralozin. Donte të rrinte në Prishtinë. Pak nga pak, do e nxjerrin edhe nga historia. Aty nuk ka vend për ata që rrinin në kryeqytetin e pushtuar.
Kuptohet, frikacak ishte edhe Rugova. “Velania” është një kodrinë, nuk mund ta quash mal. Derisa të tjerët merreshin me punë të mëdha kombëtare, ai merrej me ndërkombëtarizim. Thuhet se e kanë lutur të dalë në mal, të bëhet Komandant i Përgjithshëm, por nuk doli. Dhe ... radha e frikacakëve dhe trimave është e gjerë dhe e gjatë. Është kolonë. Po kujt i ...bëhet vonë se?
Qysh ka thënë i moçmi, një deputete rrokullisë një gurë, e 1000 analistë trima, nuk e ngrenë dot. Ndoshta nuk e ka thënë kështu, ky i moçmi, por si veprohet zakonisht me fjalët e tij, po ja përshtatim pak...problemit.
Kemi problem, kombëtar. Problemi është se në vlugun e negociatave ndërkombëtare, pikërisht kur u arrit që për “normalizim të marrëdhënieve me Serbinë” të bisedohet si për një çështje ndërkombëtare, është me rëndësi , që pikërisht tani të ndahen trimat prej frikacakëve. Historikisht kush ka hedhur nënshkrim nuk e ka kapur sharkia për të mirë. E sharkinë e ka në dorë, opozita!
Kështu, aktualisht, në kënetën tonë patriotike “jeta nuk është jetë”, thonë disa. “U kënaqëm”, thonë të tjerët. Sido që të jetë, Shqipëria (dhe Kosova) jo vetëm se u bë e madhe, por u bë globale! Nuk ka vend në planet ku nuk ikëm, për të dëshmuar dashurinë tonë ndaj atdheut. Sidomos në rrjetet sociale. Kënaqemi me debate për dashurinë ndaj atdheut dhe ndajmë simbolet kombëtare e demokratike sipas parimit të trimërisë dhe frikës: një andej, një këndej.
Në sport është më lehtë, sesa në debatet tona publike. Për shembull në boks nuk godet dot nën brez. Godet, por diskualifikohesh. Ndërsa në debatet tona nuk godet dot mbi brez. Godet, por nuk të dëgjon kush. Është monotone. As në BBV nuk të thërrasin. E përse të thërrasin?
Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Adem Jashari... deri te deputetët dhe analistët trima. Me qëllim e kaluam Albinin se ai është dëshmuar se është frikacak. U tha në parlament, por e kanë thënë edhe të tjerë: ai nuk kishte pranuar të rrijë në mal, të kap mitralozin. Ai zgjodhi të rrijë me Ademin plak, në Prishtinë. Ai zgjodhi të rrijë me Ademin që vdiq në shtrat.
Situata në këtë debat publik paraqitet pak a shumë kështu: Opozita, e përvetësoi Ademin. Ai ishte trim, natyrisht, ndërsa Albini mbeti me Ademin tjetër dhe Rugovën....Çfarë ke bërë kështu, Albin? E ke menduar se mund të gjykohesh një ditë për zgjedhjet tua? Nuk ke zgjedhur Ademin e duhur!
Në fund të ditës, cilin do që ta kishe zgjedhur njëjtë do të ishte, sepse morali i debatit është i gabuar. Nuk e nxjerr dot Ademin kundër Ademit, edhe pse njëri ka vdekur dhe tjetri ende është i gjallë./Pamfleti
Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.