
Takimi mes Kryeministrit Albin Kurti dhe partive politike pritet të nisë në orën 16:00. Takimi është thirrur nga Kurti, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila detyron subjektet politike që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës jo më vonë se pas 30 ditëve.
Kurti në një postim në rrjetin social konfirmoi se u është drejtuar partive politike.
“Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, shkruan ai.
Nuk dihet se cilat do të jenë kërkesat apo qëndrimet e këtij të fundit, megjithatë, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar tashmë partitë politike.
Memli Krasniqi do të përfaqësojë Partinë Demokratike të Kosovës, siç u bë me dije nga deputeti i saj, Përparim Gruda.
“Kryetari jonë, Krasniqi e përfaqëson partinë në takim dhe qëndrimet që dalin pas atij takimi i shpreh kryetari”, tha ai.
Po ashtu, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka konfirmuar pjesëmarrjen e kësaj partie.
“LDK-ja do të marrë pjesë në takim pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ajo.
AAK do të përfaqësohet nga Time Kadrijaj, ndërsa kreu i saj, Ramush Haradinaj e quajti ftesën “të palogjikshme”.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Albin Kurti.
Limaj përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se Kushtetuesja e ka bërë të qartë se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është proces që kërkon marrëveshje politike.
“Kjo është ajo që ata presin dhe kjo është ajo që ata meritojnë!
Prandaj, nesër do të jem në tryezën e thirrur nga kryetari i Vetëvendosjes, me po të njëjtin qëndrim që kam pasur që nga dita e parë: Kosova ka nevojë për marrëveshje, jo për teatër politik. Për lidership, jo për kalkulime.
Rruga që ne e propozuam, sot po bëhet e pashmangshme.
Nga qëndrimi i drejtë, tek zgjidhja që po pranohet.
Ne kemi qenë të gatshëm për zgjidhje. Dhe kjo është ajo që do të ofrojmë përsëri”, shprehet Limaj.
Lini një Përgjigje