
Murat Mehmeti, ish-hetues policor në veri, ka thënë se nga të dhënat që ai ka, nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiç, ishte ai që e ka udhëhequr operacionin e zhvilluar në Banjskë të Leposaviçit.
Në emisionin “Debat Plus”, Mehmeti ka thënë se spekulohet se rreth 70 persona kanë ikur nga Manastiri i Banjskës të dielën.
Po ashtu, ai ka theksuar se edhe sulmet ndaj familjes Jasharaj patën nisur pikërisht nga i njëjti vend (Banjskë).
“Kanë qenë të pritshme, numri ka qenë më i madh, disa janë tërhequr mund të ketë maleve ende. Për të kuptuar më mirë se çfarë roli luan Manastiri i Banjskës po ua shpjegoj se edhe sulmet në Drenicë që janë bërë te familja Jashari, baza e pikënisja e sulmeve ka qenë këtu. Hetuesia e Kosovës e dinë më mirë por burimet dhe njohuritë që kam, Milan Radojqiq e ka udhëhequr këtë operacion, ka qenë vetë në vendin e ngjarjes dhe është tërhequr nga disa mercenarë më të cilët bashkëpunon, disa mercenarë të njohur me emrin “Bosanci”, tha ai.
Po ashtu, Mehmeti u shpreh se personat të cilët kanë marrë pjesë në këtë operacion janë familjarë e fëmijë të kontrabandistëve.
“Emrat që i kam parë të të vrarëve dhe disa të cilëve që pretendohet se kanë ikur dhe të tjerët që gjenden në spitalin e Novi Pazarit, janë fëmijë familjarë të kontrabandistëve të cilët janë pasuruar në 23 vitet e fundit. Njëri nga ta në vitin 2013 e ka mik shtëpie Aleksandar Vulin. Të ikurit të plagosur dihet që janë katër në Novi Pazar ndërsa sa kanë ikur spekulohet të jenë 70 persona”, shtoi ai