
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç janë rikthyer në tryezën e bisedimeve. Në orën 15.20 ata u ulën përballë njëri-tjetrit me ndërmjetësimin e Borrell dhe Lajçak me qëllim gjetjen e akordit për planin franko-gjerman.
Pas rreth një orë takimi u ndërpre dhe u duk sikur përfundoi, por bëhej fjalë vetëm për një pushim të shkurtër. Mësohet se pak më parë ata janë rikthyer në tryezë duke nisur kështu raundin e dytë të bisedimeve. Sot BE e SHBA kërkojnë me patjetër marrëveshje dhe duket se do të ketë zhvillime intensive në Ohër.
Kurti para fillimit të takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ka thënë se në Ohër ka ardhur për bisedime për të arritur marrëveshje.
“Unë jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, sovranitetin dhe integritetin territorial, interesin publik dhe të popullit, për të gjithë qytetarët pa dallime, sepse unë jam kryeministër i Republikës i të gjithë qytetarëve”, tha Kurti. “Me këtë rast përveç se jam optimist kam ardhur me qëllim të mirë me vullnet të mirë dhe me mirëbesim që dakordimin e arritur më herët që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më datë 27 shkurt ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve”, tha Kurti.
Më herët ai u takua me të dërguarin e DASH, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesit e BE, Borrel dhe Lajçak. Po ashtu ai pati dhe një takim me krerët e shtetit në Shkup, përfshirë kryeministrin Kovaçevski.
BE e SHBA kërkojnë që sot të pranohet plani franko-gjerman. Kurti e ka pranuar në publik, por Vuçiç këmbëngul te asociacioni.