Kosova27 Shkurt 2023, 07:27

Kurti-Vuçiç takohen sot në Bruksel, BE ultimatum Kosovës për të pranuar propozimin europian

Shkruar nga Pamfleti
Kurti-Vuçiç takohen sot në Bruksel, BE ultimatum Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel

Ditën e sotme, 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të zhvillojnë një takim të nivelit të lartë në Bruksel, me ndërmjetësimin e të dërguarit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Fokusi i këtij takimi është propozimin e Bashkimit Europian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

BE ia ka bërë të qartë Prishtinës se për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për integrimin duhet të pranojë propozimin europian.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, fillimisht pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti në orën 15:00.

Ndërsa, në orën 16:15, Borrell pritet të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Pas takimeve të ndara, në orën 17:15, Josep Borrell do të zhvillojë takim të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.

Më pas, Borrell pritet të mbajë deklaratë për shtyp.  Gjithashtu, kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç do të takohen veç e veç me të dërguarin Evropian për Dialogun, Miroslav Lajçak.

Më pas, do të kenë takim të përbashkët.

Ndërsa emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se presin që të dy palët të deklarohen përfundimisht pro këtij propozimi të hënën.

Në bisedimet e sotme, pritet të diskutohet i ashtuquajturi plani franko-gjerman, i mbështetur nga SHBA-ja, i cili nuk parashikon njohje për angazhim e të dyja vendeve për të mos penguar proceset integruese të njëri-tjetrit.

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Departamenti i Shtetit tha se marrëdhëniet e normalizuara duhet të nënkuptojnë njohjen reciproke.

Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë e prezantuan planin para autoriteteve në të dyja vendet në shtator të vitit 2022. Propozimi është pranuar në parim nga liderët e të dyja vendet, por në një prononcim ditën e enjte, Kurti tha se ai nuk ishte produkt i negocimit. 

Reagimi i Prishtinës për marrëveshjen

Kurti para vizitës në Bruksel ka deklaruar se marrëveshja me Serbinë do e ketë në qendër njohjen e Kosovës dhe se ndryshe nuk do diskutonte me Serbinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër të përbashkët nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel dhe propozimin Evropian.

Në komunikatën e lëshuar nga zyra e Kurtit, thuhet se në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.

“Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian, është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives Evropiane të vendit”, ka njoftuar zyra e Kryeministrit.

Kurti në Parlamentin e Kosovës ka thënë  është se Propozimin Europian e ka konsideruar si bazë të mirë, ndërsa në mesin e karakteristikave që përmendi ishte se propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes së dy Gjermanive, se përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës e se marrëveshjet e arritura deri më tani duhej të zbatoheshin.

Ai gjithashtu ka lënë të nënkuptohet se do e pranojë këtë propozim pasi sipas tij Kosova do të hynte në një konfrontim me shtetet perëndimore dhe se do përballet me pasoja siç janë ndëshkimet diplomatike etj.

Propozimi përfshiu komentet e Qeverisë së Kosovës, por në janar, sipas kryeministrit Kurtit, ai iu ofrua në formatin “mere ose leje” derisa iu bënë të ditur edhe masat ndëshkuese nëse nuk do ta pranojë.

“Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve prej nga vinë emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një jo nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta. Ata gjithashtu ma bënë të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues dhe ndëshkues diplomatik për Kosovën dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre”, është shprehur Kurti në Kuvend.

Kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se "Serbia do t'u përmbahet vijave të kuqe”. "Thelbi i diskutimeve do të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, tha Vuçiç dhe përsëriti se "Serbia nuk do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

Çfarë përmban plani europian?

Propozimi i Bashkimit Evropian apo siç njihet plani franko-gjerman do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Nga një draft, pjesë të të cilit kanë publikuar mediat, nuk përmendet në mënyrë specifike njohja reciproke, Kosovë-Serbi, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë. Ndër këto të drejta parashihet respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë, pa specifikuar qartë se për çfarë aranzhimi bëhet fjalë.

Plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, pos marrëveshjes bazë përmban edhe planin e zbatimit.

Aty parashihet që jo më vonë se 15 ditë pasi palët të nënshkruajnë marrëveshjen bazë, ekipi menaxhues duhet të paraqesë draftin për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Një gjë e tillë do të mundësojë që palët të lëvizin drejt hapave të tjerë, siç është njohja reciproke e dokumenteve.

Në nenin e parë të kësaj marrëveshjeje thuhet se të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Po ashtu, palët do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.

Në këtë marrëveshje thuhet se asnjëra nga të dyja palët nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj dhe se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerat të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Përgjatë kësaj kohe janë nënshkruar diku 33 marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale. Kosova insiston në njohje reciproke, Serbia kërkon zgjidhje kompromisi.

kosova takimi në bruskel vuçiç be