TAGS-AT E JAVËS

Kosova10 Tetor 2025, 08:38

Mblidhet sot Kuvendi i Kosovës për seancën konstituive, pritet të zgjidhet nënkryetari serb

Shkruar nga Pamfleti

Mblidhet sot Kuvendi i Kosovës për seancën konstituive, pritet

Deputetët e Kuvendit do të mblidhen sot, në orën 10:00, për të vazhduar me seancën konstituive pas më shumë se një muaji pauzë për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në rend dite është vetëm zgjedhja e nënkryetarit serb, pikë për të cilën Kushtetuesja bllokoi që më 5 shtator punën e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit. 

Tentativa e radhës për konstituim të Kuvendit vjen pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, në kërkesën e Listës Serbe që kontestoi konstituimin pa zgjedhjen e nënkryetarit të propozuar nga kjo parti. Gjykata vlerësoi se zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb është e domosdoshme për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Gjykata deklaroi më 30 shtator se deputetët kanë 12 ditë kohë për të zgjedhur nënkryetarin serb. Kuvendi ka zgjedhur kryetarin Dimal Basha, tre nënkryetarët shqiptarë dhe nënkryetarin nga pakica jo serbe. 

Të enjten u bënë tetë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme. Me zgjedhjen e nënkryetarit serb përmbyllet seanca konstituive e nisur më 15 prill, dhe i hapet rruga procesit për formimin e qeverisë së re.

 

Lini një Përgjigje