TAGS-AT E JAVËS

Kosova 7 Gusht 2023, 12:13

Mediat e biznesit përkundrejt mediave të lira

Shkruar nga Fadil Lepaja
Mediat e biznesit përkundrejt mediave të lira
Foto Ilustruese

Aty ku nuk hyn prokurori, hyn gazetari...!

Gazetarët janë zemëruar me qeverinë. Me të drejtë. Qeveria nuk ka të drejtë të shohë në xhepat e gazetarëve.  Edhe milioner po të jetë, ai është gazetar. Askush nuk e detyron të deklarojë pasurinë.

Me një fjalë, në demokraci gazetarët janë “të shenjtë”, të paprekshëm. Dikush duhet të jetë i “shenjtë”, përndryshe bie sistemi. Kush të jetë i paprekshëm në demokraci nëse jo gazetarët? Politika? As që bëhet fjalë! Klerikët? Do luftë të shenjtë, ti? Pra, as ata!

Ndërkohë,  në xhepat e një zyrtari të lartë publik ka të dejtë të shikojë dhe fus dorën çdokush, sidomos çdo gazetar. Nëse zyrtari i ka xhepat me vrima, gazetari ka të drejtë të hulumtojë mos ka xhepa të brendshëm. Mos i ka fshehur paratë në çorape... kudo.

Aty ku nuk hyn prokurori, hyn gazetari...!

Aktualisht prokurorët nuk shohin xhepat e huaj, shohin të vetët. Nuk kanë faj, nuk e dinë kush po e fiton luftën. E një gazetar kuptohet se nuk ka të drejtë të hulumtojë gazetarin tjetër, është vëllazëri gazetaria!

Është e qartë se në Kosovë çdo qeveri kishte gazetarët e vet.

Çdo biznes i madh ka hapë televizion apo së paku një portal. Dakord, ka edhe media të pavarura, por ata janë të “lodhur”. Kështu thuhet për një portal që flet të vërtetën por nuk ka pëlqime. Të vërtetën nuk e ilustron dot me të pasme apo të “përparme”. E vërteta nuk është atraktive.

Nejse, sot kushdo po hapë portal, por portal me të cilin bëhesh milioner nuk e hapë dot gjithkush. Së paku jo nëse nuk je ...me të fortin. Me kë duhet të jesh që të bëhesh milioner? Duhen pyetur ata që tashmë e kanë arritur këtë, pra...me qeverinë apo me bizneset? Ka edhe biznese të ndershme, edhe qeveri madje. Por si ta kuptosh kush është hajduti kur të gjithë po bërtasin, “kapeni hajdutin”. Më së shumti ata vet.

Qeveria nuk të jep dot nga xhepi i vet, sepse marrëdhënia e qeverisë  me mediat  është e komplikuar. E kemi parë si funksionon. Ti shan kundërshtarët politik, i përqesh dhe merr...reklama nga institucionet, kompanitë publike. Pra, këtë, një qeveri demokratike nuk e bën dot.

Pastaj, askush nuk e di të kujt janë mediat te ne... së paku disa që janë më agresive. E  pse ta dijë? Mjafton vetëm emri i pronarit, që e ka hapur një media me pak lek, e shpenzon miliona. Është i zoti, do të thonë. E bën milionin nga hiçi.

“Çdokush sot i ka nga dy tre milion euro” arsyetoheshin në mediat kosovare, pushteti dhe gazetarët.

Pastaj do të thonë se ka “tope”, të kapet me qeverinë. E pse jo? Qeveria gjithnjë duhet të lahet e shpërlahet, në shtatëdhjetë ujëra, për të qenë e pastër para ...gazetarëve. Sepse Qeveria nuk flet drejtpërdrejtë me popull. Flet vetëm përmes gazetarëve.

Një zyrtar, për vetë faktin se paguhet nga paraja publike, apo menaxhon me paranë publike  me automatizëm është i dyshuar publik. Prandaj e detyrojnë të deklarojë pasurinë,  ndërkohë që një gazetar nuk e ka këtë telash. Ai nuk operon me paratë publike prandaj as nuk deklaron asgjë. Deri këtu gjithçka është në rregull. Kuptohet, një gazetar operon me paratë që i vijnë në konto. Ai që ja jep, i ka të vetat. Nëse qeveria kërkon transparencë për prejardhjen e parasë, ajo akuzohet se po bën presion mbi mediat. Të kuptohemi, thotë Asociacioni, një medium edhe kur nuk është i ndershëm, është i ndershëm, pak a shumë është si një avokat, pra. E mbron padronin me çdo mjet.

Por mediat nuk mund të jenë një avokat, sepse ka kod etike të profesionit do të thotë dikush. Ka kod etik, por mendojeni vet: a më mirë është të kemi qeveritarë të korruptuar apo gazetarë të korruptuar? Media, edhe kur është e korruptuar, apo instrument i dikujt, është më pak e rrezikshme sesa  një qeveritar i korruptuar. Veçse gazetari duhet të mbetet gazetar. Nëse angazhohet politikisht, duhet të largohet nga vëllazëria. O gazetar o politikan... nuk bën të dyja. Nuk mund të jesh pak i/e virgjër...!

Kur një gazetë organizon opozitën, apo protestat më nuk është gazetar. Është profesion tjetër. Duhet të paguaj tatim dhe të mbaj përgjegjësi për fjalën publike. Duhet të zgjedhë: të ketë lirinë e sharjes apo të mbaj përgjegjësi?

Ta mbyllim: gazetarët e zemëruar me qeverinë, kanë dalë në protesta. Po e bojkotojnë punën e Qeverisë. Qeveria e Kosovës po ua kontrollon xhepat mediave. Po të ndalej te xhepat, ndoshta nuk do të bëhej kaq keq. A duhej që Qeveria  të pajtohej me faktin se pronarët që i kanë xhepat me vrima mund të qarkullojnë miliona euro, të punësojnë gazetarë milionerë?

 Ta mbyllim me “Hamletin? “Është e kalbur diçka  në mbretërinë e Danimarkës” ?

Është kalbur diçka në “vëllazërinë” e medias? Si të quhet situata kur gazetarët milioner bëhen avokatë të pronarëve të varfër, e opinionistët mercenarë që shesin “fjalën” e lirë”? Pa hidhërim, vëllezër, edhe unë vetëm pyetje po bëj ..! Të gjitha palët mund të mbrohen edhe me heshtje!/Pamfleti

mediat e biznesit mediat e lira fadil lepaja

Lini një Përgjigje